Në një komunikatë, ushtria tha se dy gratë janë kthyer në Izrael të enjten pasdite.
Ato janë në mesin e një grupi më të madh të izraelitëve që pritet të lirohen sot më vonë, në përputhje me marrëveshjen e armëpushimit të zgjatur sot mes Izraelit dhe Hamasit.
Izraeli do t’i lirojë 30 të burgosur palestinezë sot më vonë, në këmbim.
Kur u arrit marrëveshja e armëpushimit të përkohshëm më 24 nëntor, Izraeli tha se u pajtua për ta zgjatur atë për një ditë shtesë për çdo 10 pengje të liruara nga grupi radikal.
Armëpushimi, marrëveshja fillestare për të cilin përfundoi të hënën por u vazhdua, i ka ndalur luftimet më vdekjeprurëse mes Izraelit dhe palestinezët në dekadat e fundit.
Izraeli është zotuar se do ta rifillojë luftën në përpjekje për ta shkatërruar Hamasin dhe për t’i dhënë fund sundimit të tij 16-vjeçar në Rripin e Gazës, megjithatë është duke u përballur me trysni në rritje ndërkombëtare për ta kursyer Gazën jugore nga një ofensivë shkatërruese tokësore si ajo e cila e rrënoi shumicën e pjesës veriore.
Mbi 240 njerëz u rrëmbyen nga Hamasi në sulmin e 7 tetorit në jug të Izraelit, i cili edhe e nxiti luftën.
Më shumë se 14.800 palestinezë janë vrarë prej se nisi lufta, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, e cila kontrollohet nga Hamasi./ REL