Politike
Zgjedhjet 2025/ Konsulta me Begajn, PD: Refuzojmë të bëhemi pjesë e farsës
Partia Demokratike ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në procesit të caktimit të datës së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të vitit 2025. Në një shkresë zyrtare, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi pretendon se data tashmë është caktuar nga kryeministri Edi Rama. Ndaj, sipas tij, partia më e madhe opozitare në vend refuzon që të jetë pjesëë farsës.
“Tashmë Rama-Balla e kanë caktuar datën e zgjedhjeve dhe Presidenti pritet vetëm të nënshkruajë e të vulosë vullnetin e partisë në pushtet. Farsa e gjoja konsultimeve me parti politike dhe madje edhe me individë pa parti, është një akt i shëmtuar që meriton vetëm të përbuzet,”-tha Gazment Bardhi.
REAGIM I KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PD, GAZMENT BARDHI
Të hënën, ora 10:30, Sekretari i Përgjithshëm i PD dhe Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, janë ftuar zyrtarisht nga Institucioni i Presidentit të Republikës për t’u bërë pjesë e një procesi “konsultimesh” lidhur me datën e zgjedhjeve. Personalisht refuzoj të përfshihem në një proces farsë dhe që synon vetëm t’i jap legjitimitet një akti të diktuar në mënyrë antikushtetuese nga partia në pushtet. Caktimi i datës së zgjedhjeve është kompetencë kushtetuese e Presidentit të Republikës dhe kurrësesi një akt që diktohet nga Edi Rama dhe Taulant Balla. Tashmë dyshja Rama-Balla e kanë caktuar datën e zgjedhjeve dhe Presidenti pritet vetëm të nënshkruajë e të vulosë vullnetin e partisë në pushtet. Farsa e gjoja konsultimeve me parti politike dhe madje edhe me individë pa parti, është një akt i shëmtuar që meriton vetëm të përbuzet. Presidenti i Republikës ka patur të gjitha shanset që të vepronte si figurë unifikuese dhe të luante rolin kushtetues të Kreut të Shtetit. Ka qenë zgjedhja e Presidentit të Republikës që të bëhet palë politike dhe të mos mbajë asnjë qëndrim për gjendjen ku ndodhet sot Shqipëria. Madje me heshtjen e tij shurdhuese, Presidenti i Republikës po nxit Trupin Diplomatik të Republikës së Shqipërisë në mbarë botën që të përfshihen në organizimin dhe pjesëmarrjen në turin e takimeve politike/elektorale të Partisë Socialiste, ku Edi Rama kërkon votë për partinë në pushtet në zgjedhjet e ardhshme. Edhe pse është vënë zyrtarisht në dijeni, Presidenti i Republikës ende nuk ka marrë leje nga Edi Rama për të reaguar dhe për t’u distancuar publikisht nga ky veprim i paligjshëm i Trupit Diplomatik të dekretuar prej tij. Një President që sillet si palë politike meriton vetëm injorim dhe çdo takim me të është vetëm humbje kohe!
Dje, Begaj zhvilloi takim me krerët e partive të vogla të opozitës LZHK, PR, PBDNJ, PDIU dhe Agron Shehajn nga “Mundësia”. Pas takimit të sotëm me zyrtarët e Partisë së Lirisë, më datë 25 nëntor Begaj do të presë në takim përfaqësuesit e PD dhe PS. Sot, në takim me kreun e shtetit ishin dy zyrtarët e PL-së, Tedi Blushi dhe Erisa Xhixho. Ata u shprehën se janë dakord për çdo datë, veç 11 majit.
Sipas Kodit Zgjedhor, dita e votimeve duhet të zhvillohet në një nga të dielat nga 15 prilli deri në 15 maj. Ndaj presidenti Bajram Begaj mund të dekretojë një prej këtyre datave; 20, 27, 4 dhe 11 maj. Për këto zgjedhje do të implementohet për herë të parë vota e diasporës. Ndërkohë palët nuk janë dakordësuar ende për votimin elektronik. KQZ propozon që votimi të bëhet me makineri në Elbasan dhe në Durrës, ndërsa maxhoranca kërkon që të shtohet edhe qarku i Tiranës. Në këtë pikë kundërshton opozita, e cila pretendon se votimi elektronik mund të manipulohet.