Kosova
Zgjedhjet në Kosovë/ Andoni: Diaspora “as nën mëngë” për Kurtin, PDK ka ndryshuar lojën me Bedri Hamzën
Ndërsa Kosova përgatitet t’u drejtohet kutive të votimit më 28 dhjetor, analisti Ben Andoni ka zbërthyer strategjitë e partive politike dhe avantazhet e kësaj date të pazakontë.
Ai tha se Lëvizja Vetëvendosje hyn në garë e favorizuar, pikërisht për shkak të faktorit diasporë.
Sipas analistit, Kosova tashmë ka fituar një lloj imuniteti ndaj zgjedhjeve të parakohshme apo të jashtëzakonshme, dhe data e zgjedhur në prag të Vitit të Ri nuk përbën pengesë, përkundrazi.
Për Andonin, caktimi i zgjedhjeve në fund të dhjetorit është një lëvizje taktike që i shërben partisë së Albin Kurtit.
Duke folur per ate qe ai e quajti ndryshim i strategjisë nga Partia Demokratike e Kosovës, tha se vendimi për të kandiduar Bedri Hamzën tregon një lexim të ri të realitetit politik, ku narrativa e UÇK-së nuk ka më peshën e dikurshme elektorale.
Ardhja e një lidershipi të ri në opozitë dhe qasja më e butë e Hamzës, sipas Andonit, mund të krijojnë hapësira bashkëpunimi që më parë dukeshin të pamundura. Ai parashikon se edhe vetë kryeministri Kurti do të ndryshojë fjalorin politik, duke shmangur denigrimin e opozitës.