Kosova
Zgjedhjet në Serbi, Petkoviç bisedon me serbët nga veriu i Kosovës
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviç, bisedoi me përfaqësuesit e serbëve nga veriu i Kosovës lidhur me mënyrën se si t’iu mundësohet atyre që të votojnë në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, të caktuara për 17 dhjetor. Takimi u mbajt në Rashkë, në jugperëndim të Serbisë, tha Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe më 22 nëntor.
Sipas njoftimit, përfaqësuesit e serbëve nga Kosova gjatë takimit thanë se “është e rëndësishme që qytetarëve serbë t’iu mundësohet e drejta e tyre e votimit”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar më herët se Serbia duhet të kërkojë që të arrihet një marrëveshje e posaçme me Kosovën, në mënyrë që komunitetit serb në Kosovë, që kanë shtetësi të dyfishtë, t’iu mundësohet votimi në territorin e Kosovës për zgjedhjet parlamentare serbe.
Këtë kërkesë Kurti e ka paraqitur në një letër që ia ka dërguar shefit të misionit në Kosovë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Michael Davenport.
Zgjedhjet e fundit parlamentare, që Serbia i ka organizuar edhe për komunitetin serb në Kosovë, ishin ato të 21 qershorit të vitit 2020.
Këto zgjedhje ishin mbajtur sipas një praktike që daton nga viti 2017, sipas së cilës, serbët në Kosovë kanë marrë pjesë në zgjedhjet serbe dhe votat janë grumbulluar nga OSBE-ja. Më pas ato vota janë numëruar në Rashkë dhe Vranjë, dy qytetet kufitare të Serbisë.
Kjo praktikë është lejuar nga autoritetet e Kosovës deri në vitin e kaluar. Më 2022, nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje ishte thënë se Serbia duhet t’i bëjë kërkesë direkte Kosovës për mbajtje të këtyre zgjedhjeve në territorin e saj. Por, Serbia kishte refuzuar një gjë të tillë, duke thënë se kjo nënkupton njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Në prill të vitit 2022 janë mbajtur zgjedhjet në Serbi, dhe për herë të parë, Qeveria e Kosovës nuk e ka lejuar mbajtjen e zgjedhjeve në territorin e Kosovës.
Si rezultat, serbët e Kosovës janë organizuar dhe me autobusë kanë udhëtuar drejt Serbisë, për të votuar. Gjatë takimit mes Petkoviqit dhe përfaqësuesve të serbëve nga veriu i Kosovës është diskutuar edhe për ndihmën financiare, vendet e punës dhe investimet e reja të Serbisë në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Sipas një analize të Radios Evropa e Lirë, buxheti që Serbia ka ndarë për Kosovën është rritur vit pas vitit, dhe ekspertët kanë paralajmëruar se këto investime nuk janë transparente dhe është pothuajse e pamundur që të përcaktohet shuma e përgjithshme e shpenzuar në këtë drejtim, përderisa Serbia gjatë këtyre viteve nuk ka ndaluar financimin e institucioneve paralele në Kosovë./ REL