Kosova
Zhdukja e 33-vjeçarit në Kosovë! FSK dhe KFOR operacion-kërkimi në Liqenin e Ujmanit

Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në bashkërendim me KFOR-in, kanë nisur operacionin e kërkimit në Liqenin e Ujmanit, në veri të Kosovës, pasi dy ditë më parë nga njëra nga urat e këtij liqeni dyshohet se një person kërceu dhe nuk doli më nga uji.
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se FSK-ja u angazhua në mbështetje të autoriteteve civile për kërkimin e trupit të një mërgimtari, që kërceu nga ura në Liqenin e Ujmanit.
“Forca e Sigurisë së Kosovës në kuadër të detyrave të saj thelbësore ka edhe mbështetjen e autoriteteve civile. Në këtë aspekt në bashkëpunim me Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, Policinë e Kosovës dhe bashkërendim me KFOR, ekipet e specializuara të FSK-së kanë filluar operacionin e kërkimit në Liqenin e Ujmanit me synimin që sa më shpejt të nxirret trupi i mërgimtarit dhe t’i lehtësohet dhimbja familjes”, shkroi Maqedonci në Facebook.
Dislokimi i FSK-së në veri të vendit është i mundur vetëm me pëlqimin paraprak të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, bazuar në zotimin e vitit 2013 nga Qeveria e Kosovës ndaj NATO-s. Ky angazhim, i dhënë përmes një letre nga ish-kryeministri Hashim Thaçi drejtuar sekretarit të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, mbetet në fuqi edhe sot, pavarësisht ndryshimeve në mandatin e FSK-së.
Një 33-vjeçar dyshohet se kërceu nga ura në Ujman pasditen e së dielës. Ujmani gjendet në Zubin Potok, një nga katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe. Deri tani, operacionet e kërkim-shpëtimit janë realizuar nga Policia e Kosovës dhe Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim. Ndërkaq, pas këtij rasti Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos kërcejnë nga ura në Ujman. Ndryshe, FSK-ja është në proces të transformimit të saj në ushtri, pas ndryshimeve ligjore të miratuara. Ky proces pritet të përmbyllet më 2028./REL

