Connect with us

Politike

Zhdukja e Martinajt/ Rama pendohet: S’kemi prova

Kryeministri Edi Rama ka bërë hapa pas lidhur me çështjen e Ervis Martinajt. Kur pak ditë më parë, paralajmëronte se Policia e Shtetit dinte shumë dhe se shpejt do të dilte me një komunikim zyrtar, sot tha se “blutë” nuk kanë asnjë provë. Në fjalën e tij, para mediave, numri një i qeverisë përsëriti edhe njëherë që në momentin që do të ketë prova, Policia e Shtetit do të flasë, por për sa kohë nuk ka asnjë provë, nuk bën dot asnjë komunikatë në lidhje me këtë ngjarje.

“Nuk e di se çfarë nënkuptoni ju me të tjera, por në momentin që Policia e Shtetit do të ketë prova do të flasë. përsa kohë nuk ka folur do të thotë që nuk i ka proivat e mjaftueshme,”– tha Rama ndër të tjera.

Ndërkohë që sot, kryepolici Muhamet Rrumbullaku, nuk iu përgjigj mediave që prisnin një informacion zyrtar nga ai. Rrumbullaku i cilësoi si të pavenda pyetjet e gazetarëve për Martinajn, teksa sapo mbylli ceremoninë përkujtimore në kuadër të 1-vjetorit të rënies në krye të detyrës të Dëshmorit të Atdheut, Nënkomisar Saimir Hoxha.

“Në shenjë respekti nuk mund të keni përgjigje,”-tha Rrumbullaku dhe iku. Kur në fakt gazetarët dhe jo vetëm, kanë që nga 9 gushti që presin një version zyrtar për fatin e Martinajt.

Megjithatë ajo që bie në sy është ndryshimi i versionit të parë të Ramës dhe Rrumbullakut. Në një dalje tjetër publike, Rama tha se Policia e Shtetit e ka një përgjigje për fatin e të shumëkërkuarit Ervis Martinajt dhe se do të përgjigjej para publikut shumë shpejt. Ndërsa sot, del që nuk kanë asnjë provë. Përveç kësaj, s’ka as edhe një datë se kur do të flasë Policisë, duke njoftuar të paktën për hapat e ndërmarra për zbardhjen e çështjes.

Advertisement