Connect with us

Kronike

Zhdukja misterioze/ Telefoni i Ulvi Skana-s jep sinjale

TIRANË– Kanë kaluar 5 muaj nga dita kur Ulvi Skana u pa për herë të fundit nga familjarët e tij. 29-vjeçari duket se jep sinjale hera-herës, duke konfuzuar Policinë dhe Prokurorinë e Tiranës që kanë nisur hetimet për gjetjen e tij. Kohët e fundit, Prokuroria dhe policia, kanë arritur të gjurmojnë telefonin e të riut në disa zona të Tiranës, më konkretisht në periferi të vendit.

Sapo kanë marrë sinjalin e logimit, Policia ka shkuar për kontrolle blic me qëllim gjetjen e tij, por nuk kanë gjetur asnjë të dhënë të re që mund të çojë tek gjetja dhe kapja e 29-vjeçarit, i cili gjurmën e ka lënë në zonën e Bathorës. Ndërsa familjarët e tij kanë treguar dhe disa numra telefoni, të cilët dyshohet se kanë qenë kontaktet e fundit të 29 vjeçarit.

Personat që kanë në përdorim këto numra telefoni janë marrë në pyetje por dëshmitë e tyre nuk kanë ndihmuar për asgjë, ndërkohë që vazhdojnë kërkimet për gjetjen e të riut.

Pavarësisht se ngjarja është referuar në prokurori si largim nga banesa, policia kriminale po vijon mbledhjen e provave dhe marrjën në pyetje të personave me dijeni rreth ngjarjes, përfshirë edhe familjarë të Skanës, të cilët pretendojnë se i afërmi i tyre është marrë peng. Megjithatë hetuesit nuk e përjashtojnë mundësinë që i riu të jetë larguar jashtë vendit, edhe pse pasaporta e tij është lënë pas në banesë.

Ulvi Skana njihet si miku i Can Karriqit, person i vrarë në dhjetor të 2021 në zonën e Kamzës, ndërsa në disa dalje të tyre në media, familjarët e të riut pretendojnë se ai ka pasur miqësi edhe me të zhdukurin Ervis Martinaj, duke shtuar se kjo mund të jetë një nga arsyet që i riu të jetë rrëmbyer. Por ka pasur edhe intervista të tjera që e kanë mohuar këtë fakt, siç bëri e ëma e tij pak ditë më parë

Advertisement