Connect with us

Shkrime

ZIGZAG: PËR ËNDRRAT DHE ZHGJËNDRRAT – MAQEDONASE

Shkruan: Seladin Xhezairi

Legjenda thotë se nga një gjol i madh, zhytësit më të zotë, kishin nxjerrë dele. Rastis aty edhe një hoxhë me të shoqen dhe, pa një pa dy, hoxha hidhet në ujë, me gjithçka kishte veshur. I ngrati skishte ditur të notoj dhe përfundon në fund të gjolit, ndërkohë që çallma i metet në sipërfaqe. E shoqja me një kërrabë ia shtyp atë duke i thënë: “shko më thellë, sa më thellë, më kalesha”!

Përafërsisht, po kjo, figurativisht mund të thuhet edhe për ndodhitë në kampin politik shqiptar, sidomos për llokun e instaluar në ekzekutiv: Tashmë një vit në qeverinë Mickoski, grupimi politik Vlen, nuk po ia del të bind publikun më të gjerë, pra as elektoratin e vet se ka vënë në jetë të paktën një nga premtim-zotimet parazgjedhore! Krekosja se e bënë “ndryshimin” duke çuar në opozitë Bashkimin Demokratik për Integrim të Ali Ahmetit, mbase edhe do të kapërdihej, sikur ortakët e Vlenit të dilnin me të bërat e deritanishme që, sdo mend, do të arsyetonin hyrjen në Qeveri. Për fat të keq, deri tani gjithçka po u shkon ters: Si në planin e brendshëm, ashtu edhe atë të jashtëm. Riorganizimi që në start i Ministrive, suprimimi i Balanserit, hapja e çështjes së përdorimit zyrtar edhe të gjuhës shqipe, kanë bërë që aktualisht të shtrohet me të drejtë pyetja nëse, nga këndvështrimi i mbrojtjes dhe avancimit të të drejtave të shqiptarëve, ky na qenka ai ndryshimi i proklamuar me aq pompë, madje edhe me mështetjen e Prishtinës zyrtare?

Edhe në rrafshin e politikës së jashtme, Qeveria Mickoski dhe sidomos grupimi politik Vlen, si pjesë e saj, nuk është se për një vit bënë ndonjë veprim për ta duatrokitur: Zhbllokimi i procesit të negocitave për aderim me të drejta të plota nuk është se ndodhi, për shkak të mosndryshimit të Kushtetutës dhe përfshirjes së minoritetit bullgar në të, por trashja e miqësisë më Hungarinë e kryeministrit Viktor Orban (që në BE shikohet si një dele e zezë), acarimi i raporteve me Bullgarinë dhe Greqinë, pse jo edhe ftohja e tyre me Shqipërinë, të gjitha këto nuk janë ogur i mirë për perspektivën evropiane që deklarativisht e ushqen kjo Qeveri e Maqedonisë së Veriut. Ndërkohë, kjo ëndërr, tregojnë sondazhet, po mbahet  gjallë falë shqiptarëve!

Vetëlargimi i Taravarit nga Qeveria dhe Vleni

Për dr. Arben Taravarin mund të thuhet gjithçka e shumëçka, ama shikuar në kontekstin e argumenteve të sipërofruara, duket se braktisja e Qeverisë nga ana e tij, provon katërcipërisht “saldon negative” shqiptare në këtë koalicion qeverisës. Mbase tek ai ka funksionuar nervi i reagimit në kohë, për të mos u koritur para elektoratit, pikërisht për shkak të trendit të degradimit institucional të shqiptarëve, nga lartë-poshtë, pa anashkaluar as institucionin e Presidencës maqedonase!

Në rrethana të tilla, duket se po ngushtohet hapësira manovruese e grupimit politik Vlen i cili aktualisht, veç mbështetjes së parezervë të kryeministrit kosovar Albin Kurti dhe partisë së tij Vetëvendosje, nuk mund të mburret me asgjë. Në fakt, do pritur nëse do të shkrihen në një sbujekt politik apo në zgjedhjet vendore do të dalin si koalicion parazgjedhor. Përtej faktit se zgjedhjet lokale nuk janë gjithaq politiko-partiake, prapëseprapë, në to, për të mirë a për të keq, ndikimin e vet do ta kanë edhe arritje-dështimet e pushtetit ekzekutiv.

Pozicionimi i VMRO-DPMNE-së dhe i kryeministrit Mickoski

Për këtë një vit, Kryeministri Hristijan Mickoski dhe partia e tij VMRO-DPMNE, mund të “mburren” se Maqedoninë po e bëjnë edhe institucionalisht të “frymojë” – maqedonisht! Një zotim ky, dorën në zemër, parazgjedhor i kësaj partie maqedonase. Mirëpo, kjo parti sikur qëllimisht harron se Maqedonia është shumetnike e shumëkonfesionale, se ka një Marrëveshje të Ohrit që është shkrirë në Kushtetutë dhe Ligje, se pushteti pararendës ka firmosur marrëveshje me fqinjët, se nga të gjitha këto dalin detyrime! Për më tepër, injorimi institucional i shqiptarëve, tentativa për ta paraqitur BDI-në e Ali Ahmetit, si një gogol (aniqë ajo ka bashkëqeverisur, mirë apo keq, edhe me LSDM-në, edhe me VMRO-DPMNE-në), provojnë se Mickoski&VMRO-DPMNE-ja, së pari, nuk nuk mbajnë llogari për “patrnerin preferencial” parazgjedhor të tyre (të quajtur Vlen), dhe së dyti, nëse e vazhdojnë me këtë turr, doemos që kanë për të riforcuar atë që do ta quaja nacionalizëm shqiptar i cili, nesër, do të mund të ushqejë kërkesa të reja!

PS

Këto ditë ika për në Mbretërinë e Bashkuar. Të thuash pjesa dërmuese e bashkudhëtarëve të mi maqedonas, në aeroportin e Lutonit e patën më lehtë t’i kalojnë procedurat kufitare – për shkak se ishin të pajisur me pasaporta bullgare. Një miku im më thotë: “Ishalla hy edhe Shqipëria e edhe ne do e kemi më kollaj”!

Që thua ti: Ka të drejtë, ne nuk do të humbasim asgjë nga identiteti ynë – kombëtar e gjuhësor!

Advertisement