Kosova
Zilja ra në mesnatë/ Escobar në telefon me Kurtin
Tri ditë para takimit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, në Bruksel, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka biseduar në telefon me të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Me Escobarin, që është Zëvendës ndihmës Sekretar Shteti për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike “u bisedua për rëndësinë e zbatimit të shpejtë dhe të plotë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj”, thuhet në njoftimin e dërguar nga vetë zyra e kryeministrit në Kosovë.
Në njoftim pohohet gjithashtu se “kryeministri shprehu gatishmërinë e tij për t’u angazhuar aktivisht në takimin e nivelit të lartë politik të së enjtes në Bruksel, teksa falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën”.
Ky pajtim i Kurtit për “rëndësinë e zbatimit të shpejtë dhe të plotë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj”, vjen vetëm pak ditë pasi Kryeparlamentari i Kosovës dhe numri 2 i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, deklaroi se “kush themelon Asociacionin pa njohje nga Serbia bën tradhti”.
Kjo telefonatë gjithashtu vjen pasi gjatë fundjavës u raportua nga një gazetare serbe me qëndrim në Uashington, se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë qortuar ashpër Kurtin, po raportimet ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht.
Gjithçka pritet të zbardhet pas dy ditësh, kur me 14 shtator në Bruksel, për herë të parë pas shumë muajsh, takohen Albin Kurti e Aleksandër Vuçiç.