Aktualitet
Zjarr në urgjencën e re të QSUT! Evakuohen pacientët, dërgohen në Sauk me autoambulanca
Zjarr në urgjencën e re të QSUT.
Zjarri ka rënë në një prej bodrumeve dhe ka shkaktuar shumë tym çka rrezikonte të shkaktonte asfiksi te pacientët. Top Channel mëson se është bërë evakuimi i pjesës më të madhe të pacientëve. Krahas pacientëve të dërguar me urgjencë në Sauk, disa u sistemuan në pavione te tjera të QSUT-së.
Ndërkaq, në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë zjarrfikëset e Tiranës, dhe pas ndërhyrjes zjarri është vënë nën kontroll. Ngjarja ka nisur rreth orës 5.30 të mëngjesit në katin -1 ku ndodheshin disa bateri të cilat kanë shkaktuar shumë tym. Situata tashmë është nën kontroll.
“Më datë 11.02.2024, rreth orës 05:30, në Rrugën e Dibrës, dyshohet se si pasojë e një shkëndije, ka rënë zjarr në katin -1, te urgjenca e re. Shërbimet e Policisë në bashkëpunim me forcat zjarrfikëse, menjëherë kanë bërë evakuimin e stafit mjekësor dhe pacientëve. Zjarri është fikur dhe si pasojë e tij nuk ka persona të dëmtuar. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes“- thuhet në njoftimin e Policisë.
Top Channel