Rajon
Zjarret masive/ Qeveria greke paketë ndihmëse për bizneset e prekura
Për shkak të situatës së rëndë me zjarret në Greqi, autoritetet kanë marrë masat që qytetarët të mos i vuajnë dëmet. Për shkak të kushteve emergjente që janë krijuar në Greqi si pasojë e zjarreve, dhe me qëllim lehtësimin e qytetarëve dhe bizneseve në përmbushjen e detyrimeve të sigurimit dhe përfitimin e rregulloreve favorizuese, është nënshkruar një vendim ministror nga zëvendësministri i Punës dhe Sigurimet Shoqërore, Panos Tsakloglou. Në vendim përfshihen një sërë masash si pezullimi i pagesës së kontributeve të sigurimit dhe masat për lehtësimin e shlyerjes së detyrimeve të sigurimeve ndaj e-EFKA.
Kjo nismë e Ministrisë së Punës dhe Sigurimeve Shoqërore, vjen pas dhënies së ndihmës emergjente prej 534 euro për 3 muaj për punonjësit që kanë ndërprerë punën, nëse bizneset turistike në të cilat ata punojnë kanë pësuar një fatkeqësi të pjesshme ose totale, raportojnë mediat greke.
Për bizneset, punëdhënësit dhe personat e siguruar që mbajnë një ndërmarrje biznesi ose ushtrojnë veprimtari në zonat e prekura, pavarësisht dëmit material, parashikohet që:
● Kontributet e sigurimit të prapambetura, për periudhën e punësimit deri më 31 korrik 2023, kapitalizohen dhe nuk ngarkohen me tarifa shtesë, interesa shtesa dhe tarifa të tjera
● Pagesa e kontributeve aktuale të sigurimit pezullohet për 6 muaj, duke filluar nga data 1 gusht 2023 dhe nuk rëndohen gjatë kësaj periudhe me tarifa shtesë, interesa shtesë dhe tarifa të tjera deri më 31 janar 2024.
● Të gjitha borxhet e mësipërme, të kapitalizuara shlyhen me këste nga 12 deri në 24 këste mujore të barabarta dhe pagesa e tyre fillon nga shkurti 2024 me shlyerje deri në shkurt 2026.
Ministri i Punës dhe Sigurimeve Shoqërore Adonis Georgiadis u shpreh: “Në këtë situatë të vështirë që po përjetojmë në të gjithë vendin, është detyrë e Ministrisë së Punës të marrë çdo masë të mundshme që do të mbështesë dhe lehtësojë bizneset dhe punëtorët e prekur nga zjarret. Qeveria nuk do të lërë askënd vetëm në këtë kohë të vështirë”.
Zëvendësministri i Punës dhe Sigurimeve Shoqërore, Panos Tsakloglou tha: “Është detyrim i shtetit të ndihmojë të prekurit nga zjarret. Ministria e Punës dhe Sigurimeve Shoqërore po merr masa të jashtëzakonshme, për t’u qëndruar pranë bizneseve dhe punëtorëve të prekur nga zjarret e mëdha, për t’ua lehtësuar menaxhimin e ditës së nesërme”