Aktualitet
Zjarri në Pustec, terreni i vështirë dhe era sfidojnë përpjekjet për shuarjen e flakëve, mbi 75 forca në operacion

Situata në Pustec po mbahet nën kontroll, por mbetet ende delikate për shkak të kushteve atmosferike. Kryetari i Bashkisë së Pustecit, Pali Kolefski, tha se situata është më e qetë, por ende po monitorohet nga afër.
“Situata është pak më e qetë, po e monitorojmë dhe shpresojmë që era të mos favorizojë përhapjen e ndonjë vatre të mundshme. Të gjithë punonjësit e zjarrfikëses, të zonave të mbrojtura dhe të shërbimeve janë në terren dhe shpresoj që sot ta mbyllim. Një vlerësim të saktë të sipërfaqes momentalisht nuk kemi, por besoj se është gati 10-15 hektarë”, u shpreh Kolefski.
Nga ana tjetër, Gjergji Koki, drejtor i Administratës së Zonave të Mbrojtura (AdZM), bëri me dije se që prej orëve të para të mëngjesit janë angazhuar mbi 75 forca për të përballuar situatën në një terren tepër të vështirë.
“Prej orës 4 të mëngjesit, rreth 75 forca burime njerëzore, të përbërë nga mzsh Pustec, vullnetarë, administrata e zonave të mbrojtura, por dhe nga forcat e armatosura, janë shpërndarë në terren. Aktualisht po punojmë në tre fronte, ai sipëror ku grupet kanë qenë që në mëngjes në një terren shumë të vështirë për të parandaluar depërtimin në pjesën e pasme në zonën e Podgoricës që do të ishte një katastrofë nëse do depërtojë zjarri aty. Ndërkohë dy grupe të tjera kanë bërë izolimin anësor të zjarreve”, deklaroi Koki.

