Connect with us

Kosova

Zjarri rrafshon tokën/ Kandiç për ngjarjet në Kosovë

Natasha Kandiç, aktiviste kundër luftës dhe themeluese e Fondit për të Drejtën Humanitare, ka shkruar sot në platformën X lidhur me ngjarjet në Kosovë.

“Organet e ndryshme të Serbisë në Kosovë janë organe parashtetërore, por “ndalimi i dinarit, pushtimi i objekteve nga ana e policisë, konfiskimet etj,   nuk janë masa të mira të qeverisë në Prishtinë ndaj pjesëtarëve të pakicës serbe” – ka shkruar aktivistja.

Kandiç beson se do duhej një fazë tranzitore, që qeveria të bisedonte me njerëzit dhe t’i bindte ata për qëllimet e mira”.

Kujtojmë se dje policia e Kosovës ka bastisur objektin e Autoritetit të Përkohshëm të Komunës së Pejës që ndodhet në Gorazhdevc, teksa nga kjo ndërtesë është hequr flamuri i Republikës së Serbisë.

Automjetet e Policisë së Kosovës kanë hyrë në oborrin e Autoritetit të Përkohshëm të Komunës së Istokut që ndodhet në Osojan, ku dhe kanë mbyllur objektin shëndetësore.

Drejtoresha e Qendrës për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiç, e cila përcjell në mënyrë aktive zhvillimet politike dhe raportet mes Kosovës dhe Serbisë, ka thënë më herët se njohja de-fakto është gur themeli për raporte të mira mes dy shteteve.

Kandiç ka shkruar se është e rëndësishme që të hiqet nga diskursi publik dhe politik përdorimi i gjuhës së urrejtjes, teksa dhe ka përmendur referencën e Serbisë për Republikën e Kosovës “si e ashtuquajtura”.

“Është e rëndësishme që në Serbi, diskursi publik dhe politik të largohet nga përdorimi i gjuhës së urrejtjes – i ashtuquajturi shteti i Kosovës, i ashtuquajturi kryeministër , të ashtuquajturit shqiptarë…” – ka shkruar Kandiç.

Më herët, ajo ka dalë me një porosi për presidentin serb Aleksandër Vuçiç, para takimit të këtij të fundit në Bruksel me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Kandiç i ka propozuar presidentit serb, që takimin ta nis me një deklaratë, që ka të bëjë me ndërtimin e një memoriali në Batajnicë, ku u groposën dhe u dogjën kufomat e viktimave civile shqiptare të vrarë gjatë luftës në Kosovë.

“Nëse takimi në Bruksel nis me deklaratën se Serbia do të ndërtojë një memorial në territorin e kampit të Njësisë Antiterroriste Serbe në Batajnicë në kujtim të 800 personave, të vrarë në Kosovë, pastaj të transferuar në kampin e policisë, ku përmes makinerisë dhe zjarrit u rrafshuan me tokë, vërtetë paskësaj do të fillonte ‘normalizimi’ i raporteve” –  tha Kandiç, përmes një postimi në Twitter. – Në fillim të vitit 2000, në Batajnicë, u zbulua një varrezë masive me trupat e qindra shqiptarëve të Kosovës që ishin vrarë diku nga forcat serbe, dhe më pas ishin bartur në atë hapësirë, në një tentativë të strukturave shtetërore të Serbisë, të asaj kohe, për të fshehur gjurmët e krimeve të kryera.

Advertisement