Connect with us

Shkrime

Zonë lufte, kaos dhe pasiguri

Me agresionin e paprovokuar të Rusisë në Ukrainë një nga qëllimet kryesore të Perëndimit ishte bllokimi i një efekti domino që ky konflikt mund të shkaktojë në rajone edhe ashtu të brishta për nga aspekti i sigurisë.

Në dritën e kësaj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës në koordinim të plotë me Bashkimin Evropian, në përditshmëri bëjne thirrje për bashkëpunim e dialog mes Kosoves dhe Serbise, duke dënuar me termat më të ashpra të gjitha veprimet që mund të nxisnin tensione dhe rrjedhimisht konflikt eventual.

E gjithë kjo thirrje ka hasur në veshin e shurdhër të Qeverisë së Kosovës, e cila që nga fillimi i invazionit rus në mënyrë konstante ka befasuar aleatët e saj me politikat sovraniste në Veri të Kosovës, të cilat jo rrallë herë kane përfunduar me përkeqësimin e situatës së sigurisë në terren.

Rusia, për analistin politik Petrit Zogaj, i di shumë mirë shtetet të cilat janë të rrezikuara nga shpërthimi i konflikteve për të cilat ajo do të bënte çmos që t’i aktivizonte. Njëra nga këto shtete përveç Gjeorgjisë, Moldavisë e Bosnje e Hercegovinës është edhe Kosova.

Duke marrë parasysh raportet e Serbisë me Rusinë, Zogaj potencoi se për SHBA-të dhe BE-në në këtë fazë është jashtëzakonisht e rëndësishme që Rusia të mos tentojë që të fillojë ndonjë konflikt në Evropë në atë mënyrë që t’i bëhet më lehtë lufta në Ukrainë dhe e dyta ta shndërroi kontinentin në një zonë lufte, kaosi e pasigurie.

Në drejtim të kundërt të kësaj qasjeje, sipas Zogajt, aktualisht po vepron Qeveria e Kosovës, e cila në vlerësimin e tij, për disa vite tashmë po ndjek një politikë tensionuese në raport me Perëndimin me narrative e shtrirjes së sovranitetit në Veri të vendit.

Kjo dinamikë e krijuar në Kosovë, për Zogajn, është edhe arsyeja kryesore që Shefi i Agjencisë Qendrore Amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns, vizitoi Kosovën, pas vizitave në Bosnje e Hercegovinë e Serbisë.

“Asnjëra prej këtyre tri shteteve nuk janë pjesë e NATO, çka do të thotë që nuk kanë komunikim të brendshëm persa i përket çështjeve të sigurisë, prandaj duhej vizita direkte që percolli mesazhe të qarta për veprimet e njëanshme që do të destabilizonin Ballkanin” – theksoi Petrit Zogaj………………..

Për Gëzim Visokën, profesorin e Universitetit të Qytetit të Dublinit (DCU) në Irlandë, vizita ne Rajonin e Ballkanit e kreut te agjencise amerikane te inteligjences CIA-s, duhet lexuar si paralajmërim për forcat destabilizuese në Rajon, paralajmërim ky i cili ndërlidhet, siç vlerësoi Visoka, me faktin se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të ndryshojnë qasjen dhe të përdorin mekanizma të tjerë për zbatuar politikën e tyre të jashtme.

“Ndonëse është vështirë ta dimë arsyen e vërtetë të vizitës së Drejtorit të CIA-s në Bosnie dhe Hercegovinë dhe Serbi, mund të spekulojmë se kjo vizitë paraqet një fazë të re të përpjekjeve amerikane për të ruajtur stabilitetin në rajon. Duket se jemi duke lëvizur nga diplomacia e nivelit të ulët të udhëhequr nga ambasadorët amerikanë në rajon drejt një diplomacie të inteligjencës dhe paralajmërimit dhe ndëshkimit kredibil nga Uashingtoni”, theksoi Visoka duke potencuar – “Kam përshtypjen se ndërhyrja e Ukrainës në territorin rus ka ndryshuar dinamiken e luftës atje dhe reagimi rus mund të vijë në shumë forma, përfshirë dhe aktivizimin e planeve të tyre për të destabilizuar rajonet e tjera ku SHBA-të dhe BE-ja mund të dëmtohen dhe çorientohen”.

Nëse ky lexim është i saktë atëherë, beson Visoka, vizita e Drejtorit të CIA-së në rajon “është shenjë që mund të ketë shpejt lëvizje destabilizuese me qëllim dëmtimin e Perëndimit”.

Avazin e njëjtë pa kokëçarje Qeveria e Kosovës e vazhdoi edhe të premten e 30 gushtit kur mbylli pesë komuna paralele serbe në Veri të Kosovës, gjë që dëshmoi se asaj nuk i interesojnë këshillat e Williams Burns teksa duket e vendosur te ndjekë kursin sovranist në Veri me shumë pikëpyetje në raport me pasojat që mund të shkaktojë kjo qasje.

Ambasada e SHBA-ve në Kosovë edhe njëherë kundërshtoi fuqishëm aksionin në Veri, madje theksoi se policia, të cilën tha se e ka ndihmuar të profesionalizohet, po instrumetalizohet nga Qeveria, ndërkaq James O’Brien kërkoi nga kryeministri Albin Kurti që t’i ndalë veprimet e pakoordinuara.

 

Advertisement