Connect with us

Shkrime

Zoti Mitsotakis, si do ta zgjidhësh “në mënyrë paqësore me Ramën”, punën e Fredi Belerit?

Nga Nikoll Lesi

Mes Greqisë dhe Shqipërisë ka një moment krize marrëdhëniesh për shkakun e kryebashkiakut të Himarës. Sot Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, pasi u takua me homologun e tij, Edi Rama, u ndal në një prononcim për mediat. Ai tha se do të flasë me Ramën për t’i kërkuar betimin e Belerit si kryebashkiak i Himarës. “Po, do ta diskutoj me kryeministrin Rama çështjen e Fredi Belerit. Qëndrimi ynë këtë çështje ka qenë shumë i qartë. Nuk kam ndërmend të ndërhyj në çështjet e drejtësisë shqiptare, por Fredi Beleri ka të drejtën të betohen ndonëse ndodhet në paraburgim dhe këtë do ta bëj shumë të qartë. Dhe shpresoj shumë që ta zgjidhim këtë çështje në mënyrë miqësore”, tha Mitsotakis. Kaq tha kryeministri grek me një buzëqeshje tipike greke, ku nënkuptonte se “nëse nuk pranon Rama, do ta shikojë procesin e negociatave me BE”! Por sipas kryeministrit shqiptar kjo mbetet çështje e drejtësisë dhe ai nuk ka fuqi të ndërhyjë te SPAK e gjykatat shqiptare. Pra si do ta zgjidhin “në mënyrë miqësore”, kur do të jetë drejtësia shqiptare ajo që do të vendosë?! Nëse Fredi Beleri lirohet së shpejti atëhere ka ndërhyrë Edi Rama, por kjo e zhbën pavarësinë e drejtësisë shqiptare, sikurse flet BE dhe SHBA. Në të vertetë Fredi Beleri mbahet politikisht dhe me urdhër që të mos lejohet të betohet si kryebashkiak i Himarës.  Ai të hetohet nga drejtësia, por të shkojë në detyrë si i zgjedhur nga populli dhe nëse gjykatat e dënojnë me vendim të formës së prerë, ai le të vuajë dënimin si çdo qytetar shqiptar apo europian, kur shkel ligjet. Por kjo shprehja “Dhe shpresoj shumë që ta zgjidhim këtë çështje në mënyrë miqësore” e thënë nga kryeministri grek në sheshin para kryeministrisë dhe pas shpinës së shefit të qeverisë shqiptare, nuk tregon seriozitet europian, ku na japin leksione për demokracinë. Sido të jetë, pa e zgjatur, Fredi Beleri duhet të betohet.

Advertisement