Connect with us

Shkrime

Zvarritja/ Këtu kam qenë, jam e do të jem, vetëm unë Sulltani juaj historik

Nga Spartak Ngjela

Njeriu që vuan në këtë jetë është ai individ që ka hyrë në shërbim të një shteti armik, dhe punon kundër vendit të tij. Si rregull këta individë në jetë i drejton gjithmonë ligësia e tyre e brendshme. Sepse, ajo kurrë nuk iu ndahet. Dhe deviza e tyre kuptohet se ka qenë dhe është kjo: Ligësia e ligësisë së ligësisë sime, ma dërmon kaq shumë arsyen, sa me ligësi mendoj për shkatërrimin tënd.

E pra, ja, sot… Ka mbetur në Shqipëri një individ i fiksuar në motivin e tij të fshehtë anti-Shqipëri e antishqiptar, por tani ai është nën presionin e dështimit të tij. Një komedi kjo për qytetarët shqiptarë që po e ndjekin nga media, por për Saliun kjo ndihet si tragjedi

Por, na duhet të themi se, kjo gjendje e kësaj politike qesharake që po luhet në Shqipëri, është origjinale, ngaqë një e tillë histori ka ndodhur vetëm në Shqipëri.Në fakt, kuptohet ndërkaq se kjo lloj gjendje psikologjike, lësho e mos-këput, është psikologjia osmane, e cila ka mbetur ende në psikologjinë tonë popullore. Sepse, po ta shohim me vëmendje historinë tonë, këtu në Shqipëri, që nga Enver Hoxha e deri më sot, në politikë ka drejtuar absurditeti. Pse, a nuk gëzoheshin shqiptarët duke ndjekur në dyzet vite rresht absurditetin politiko-historiko-histerik – Hoxha Enver? Dhe ja, nuk e shihni sërish që tek absurditeti politik i qeverive Hoxha, jemi ende dhe sot ne shqiptarët? Prandaj, pyetja thelbësore e historisë është kjo: a nuk do të heqin dorë ndonjëherë pushtetarët shqiptarë nga absurditeti qeverisës në Shqipëri? Në fakt, kjo nuk po besohet ende se mund të ndodhë. Sepse Osmani ende nuk nuk ka vdekur në Tiranë. Pse, a nuk ishte një jetë absurde e shoqërisë shqiptare edhe pushtimi osman i shqiptarëve në 500 vite rresht?

Po tani çfarë po pritet?

Asgjë e saktë, sepse absurditeti në drejtimin politik në Shqipëri ka rrjedhur nga sulltanët e Perandorisë Osmane, tek absurditeti kriminal Hoxha, dhe, në vitin 1992, gjendja kaloi nga absurditeti Hoxha në absurditetin politik Sali. Po pse, tani që po duket se absurditeti Sali ka humbur në paqenie politike: a nuk po ndihet ende absurditeti Hoxha Enver në qeverisjen e Shqipërisë? Sigurisht që po ndihet ende absurditeti Hoxha Enver.

Prandaj duhet pranuar se absurditeti Hoxha po vijon; sepse, a nuk e keni parë që ne, në qeverisjen e Shqipërisë, po ecim ende, edhe tani në shekullin XXI, po me raportin pesëqind-vjeçar: Sulltan Enver, Sulltan Sali? Domethënë kuptohet se paskemi qenë të destinuar të mbetemi te zvarritja e Stambollit: te sundimi i sulltanëve histerikë, dhe asgjë më shumë se kaq. Po, pikërisht aty jemi ende, sepse nuk e vrasim dot Sulltanin, prandaj siç duket, mendja ka mbetur e ngrirë tek Stambolli mesjetar me fjalinë frymëmarrëse pesëqind-vjeçare: Këtu kam qenë, jam e do të jem, vetëm unë: Sulltani juaj historik. Deri kur?

 

 

Advertisement