Pinknews
Zvicër: Muzika shqiptare dëgjohet më shumë se sa ajo vendase
Nuk është aspak dicka e re që artistët dhe këngët shqiptare në Zvicër preferohen shumë, por mesa duket tashmë jo vetëm nga komuniteti i madh shqiptar që jeton atje, por edhe nga pjesa tjetër e popullsisë dhe këtë e konfimojnë shifrat. Kështu, statistikat e gazetës së njohur “Tagesanzeiger”, që është e specializuar për të dhënat në të gjithë shtetin europian, tregojnë se sa i përket muzikës, ajo zviceriane (në dialektin zviceran të gjermanishtes) pati zënë vendin e gjashtë në klasifikimin e këngëve më të dëgjuara. Në gjysmën e parë të vitit 2023 atë e ka kaluar tashmë muzika në gjuhën shqipe, që bëhet gjithmonë e preferuar mes zvicerianvëve dhe këtu nuk llogariten artistët shqiptarë që këndojnë në gjermanisht.
Më saktësisht këngët në dialektin vendas zënë 1.1% të transmetimeve ndërsa ato në gjuhën shqipe, 1.2 për qind. Për sa i përket numrit të prurjeve, kjo bën një diferencë prej 7.5 milionë. Gjithsesi muzika më e dëgjuar është ajo në gjuhën angleze, me këngën e preferuar të zviceranëve që ka qenë “Flowers” nga Miley Cyrus këto kohë. Kjo këngë është dëgjuar mbi 16.7 milion herë në Zvicër në vitin 2023 dhe vihet kështu në krye me një epërsi prej mbi tre milionë transmetimesh, duke kaluar edhe hitin “Calm Down” të Rema-s.
Për sa i përket gjuhës vendas, reperi zviceran EAZ (i cili është pseudonim i shqiptarit nga Zvicra Arbër Rama ) ka arritur një hit me “Juicy”, me këtë projekt muzikor që është luajtur tashmë 3.5 milionë herë këtë vit. Kjo e bën atë këngën më të suksesshme në dialekt dhe zë vendin e 15-të në renditjen e të gjitha gjuhëve, pra një tjetër sukses për shqiptarët.
Sa i takon gjuhëve më të njohura atje janë: anglishtja (60%), gjermanishtja standarde (15%) dhe frëngjishtja (8%), më pas spanjishtja me 4.4% dhe italishtja 2%. Shqipja nuk është ende një nga gjuhët popullore, por me ritmet që dëgjohet, mund të jetë shumë shpejt.