Connect with us

Sport

Zvicra zbret Italinë nga ‘froni’ i Evropës/ Granit Xhaka titullar me shiritin e kapitenit

Italia, kampione në fuqi e Evropës është jashtë Euro 2024. Për fazën e 1/8 në “Gjermani 2024” Zvicra mundi 2-0 Italinë dhe i pret kështu biletën e kthimit për në Romë të kaltërve. Me Granit Xhakën nga minuta e parë dhe me shiritin e kapitenit, helvetët ishin më kërkues qysh në minutat e para të ndeshjes.

Shqiptari Xhaka asistoi bukur për Vargas në minutën e 14, me sulmuesin që nuk u koordinua si duhet. Pas këtij momenti ishte Embolo që i vetëm me Donnarumman u “hipnotizua” nga gardiani italian, që bëri një pritje vertët të bukur vetëm pak metra larg sulmuesit.

Duhej minuta e 37-të e ndeshjes që Vargas të asistonte për Remo Freuler, me këtë të fundit që zhbllokoi ndeshjen dhe i dha epërsinë djemve të Murat Yakin. Pjesa e parë e ndeshjes u mbyll me këto shifra, ndërsa fraksioni i dytë nisi me supergolin e Vargas.

Vetëm 29 sekonda nga nisja e pjesës së dytë bënë që Zvicra të gjente golin e dytë dhe të “vuloste” kalimin në çerekfinalen e Dusseldorfit në datën 6 korrik, teksa pret rezultatin e çiftit Angli – Sllovaki për të mësuar kundërshtarin e radhës. Rastin më të mirë te Italia e humbi Scamacca në minutën e 73, që vetëm përballë Sommer goditi shtyllën dhe humbi rastin të rihapte ndeshjen.

Nga ana tjetër Italia largohet e turpëruar nga një turne që ishte kampione në fuqi, teksa vlen për t’u përmendur se të kaltrit nuk kanë marrë pjesë në dy Botërorët e fundit. Në Grupin B të Euro 2024 Italia kishte rival Shqipërinë, Spanjën dhe Kroacinë, duke dalë me katër pikë nga grupi i renditur si vendi i dytë.

Formacionet zyrtare:

Zvicra (3-4-3): Sommer; Schar, Akanji, Rodriguez; Aebischer, Freuler, Xhaka, Rieder; Vargas, Ndoye; Embolo.

Italia (4-3-3): Donnarumma; Darmian, Bastoni, Mancini, Di Lorenzo; Barella, Fagioli, Cristante; El Shaarawy, Scamacca, Chiesa.

Advertisement