Sport
ZYRTARE/ Tre vite te Teuta, sulmuesi i jep lamtumirën durrsakëve
Dejvid Kapllani nuk është më pjesë e Teutës në Superligën e futbollit shqiptar. 21-vjeçari lë klubin e vendlindjes pas tre sezoneve e gjysmë, duke falenderuar të gjithë trajnerët, lojtarët, tifozët dhe drejtuesit që e kanë mbështetur në këtë rrugëtim. Tanimë sulmuesi pritet të kalojë te Erzeni po në Superligë, aty ku trajner është babai i tij, Xhevahir Kapllani.
“Që në moshën 4-vjeçare kur fillova hapat e parë të futbollit e kisha ëndërr të debutoja dhe të arrija për të kontribuar në ekipin tim të zemrës dhe aty ku jam rritur. Pas gjithë atyre viteve si pjesë e akademisë dhe pas 3 viteve e gjysmë në ekipin e parë, ndërpres bashëkpunimin me klubin e qytetit tim Kf Teuta. Një rrugëtim mjaft i bukur dhe emocional pasi fitova gjithçka që një futbollist aq më tepër një durrsak ëndërron të fitojë me klubin e tij. I jam mirënjohës presidentit z.Hasanbelli për mundësinë e dhënë, shefit të klubit për mbështetjen ,të gjithë trajnerët që kam kaluar nga akademia deri tek stafi i ekipit të parë dhe gjithashtu lojtarëve që jam stërvitur çdo ditë. Një falenderim special shkon për të gjithë tifozët durrsak që më kanë mbështetur dhe më kanë qëndruar pranë gjithmonë”, shkruan sulmuesi.