Aktualitet
Zyrtarizohet Plani për Digjitalizimin e ASHK-së 2025–2028: Një hap strategjik për të ardhmen e pronës në Shqipëri

Në mbledhjen e fundit të Komitetit Ndërministror për Tokën, është miratuar zyrtarisht “Udhërrëfyesi për Digjitalizimin e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës 2025–2028”, një plan konkret dhe i zbatueshëm pune, që vendos hapat për transformimin digjital të sistemit të pronësisë në Shqipëri.
Ky udhërrëfyes u prezantua nga Drejtoresha e Përgjithshme e ASHK-së, znj. Lorena Goxhobelli, e cila theksoi rëndësinë e këtij angazhimi për të ndërtuar një administratë më efikase, më transparente dhe të orientuar plotësisht drejt qytetarit.
📌 Çfarë sjell digjitalizimi i plotë dhe regjistrimi fillestar?
* Rrit besueshmërinë e të dhënave të pronësisë
* Siguron akses më të shpejtë dhe më të saktë në të dhëna për qytetarët dhe institucionet
* Ul mundësinë për abuzime dhe manipulime me dokumentacionin e pronësisë
* Përmbush kriteret e integrimit europian, në veçanti standardet e BE për administrimin e tokës
* Siguron plotësimin me tituj pronësie dhe regjistrimin e tyre në regjistrin kadastral
📂 Çfarë digjitalizohet?
Dokumentacioni tekniko-ligjor, kartelat e pronësisë dhe hartat kadastrale – të cilat përbëjnë bazën themelore të të dhënave kadastrale në vend. Këto janë dokumente të domosdoshme për të vërtetuar dhe mbrojtur të drejtën e pronësisë.
🗂️ Çfarë është Regjistrimi Fillestar dhe pse është i domosdoshëm?
Regjistrimi Fillestar është një proces i domosdoshëm për plotësimin me titull pronësie dhe regjistrimin e pronës në regjistrin kadastral. Këtij procesi do t’i nënshtrohen 274 zona kadastrale në të cilat nuk është kryer më parë një regjistrim i tillë. Objektivi kombëtar është përfundimi i plotë i regjistrimit fillestar brenda vitit 2028.
📅 Afatet e zbatimit:
✅ Deri në fund të 2025: përfundon skanimi dhe arkivimi elektronik i të gjithë dokumentacionit tekniko-ligjor referues
✅ Deri në fund të 2026: përfundon digjitalizimi i kartelave të pronësisë dhe i hartave kadastrale
✅ Po në 2026: përmbyllet regjistrimi fillestar në 95% të zonave kadastrale të vendit
✅ Në 2028: përmbyllet regjistrimi fillestar në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë
Znj. Goxhobelli theksoi se ASHK është e angazhuar ta zbatojë me sukses këtë plan, në bashkëpunim me institucionet publike, me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë dhe me fokus të pandërprerë tek qytetari.
Ky udhërrëfyes përfaqëson një hap vendimtar për të ndërtuar një sistem të integruar dhe të besueshëm të pronësisë – në funksion të qytetarëve, ekonomisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm të vendit.

