Politike
‘1 në 50 shqiptarë në burg’/ Farage vijon kundërpërgjigjet ndaj Ramës: Do kujdesem që të mbashë fjalën

Lideri i partisë britanike “Reforma”, Nigel Farage, ka reaguar pas sfidës publike të bërë nga kryeministri shqiptar Edi Rama lidhur me numrin e shqiptarëve të dënuar në Mbretërinë e Bashkuar.
Pas deklaratës së Farage, i cili pretendoi se “1 në 50 shqiptarë në Britani ndodhet në burg”, Rama e kundërshtoi shifrën dhe e sfidoi publikisht: nëse rezulton e vërtetë, ai do të marrë të gjithë shqiptarët e dënuar mbrapsht.
Reagimi i Farage erdhi përmes një deklarate për “The Telegraph”, ku ai u shpreh i gatshëm ta pranojë sfidën e kryeministrit shqiptar.
“Do të sigurohemi që Edi Rama të mbajë fjalën”, deklaroi ai, duke lënë të kuptohet se do të kërkojë verifikimin e shifrave dhe do të presë që Rama të përmbushë premtimin publik nëse të dhënat rezultojnë të sakta.
Debati nisi pas komenteve të Ramës në një intervistë për GB News, ku ai kritikoi retorikën politike të Britanisë pas Brexit-it dhe e quajti të papranueshme mënyrën se si flitet për emigrantët shqiptarë. Në reagim, Farage e quajti Ramën “hipokrit” dhe i kërkoi që të marrë mbrapsht “kriminelët e tij”.
Rama u përgjigj me një deklaratë të gjatë në rrjetet sociale, ku e cilësoi shifrën e Farage si të ekzagjeruar dhe pa bazë, duke e sfiduar publikisht që të sjellin faktet në tavolinë. Ai theksoi se kriminaliteti mes shqiptarëve në Britani nuk është më i lartë se ai i popullsisë vendase, madje mund të jetë edhe më i ulët.
“Po të jetë e vërtetë që një në 50 shqiptarë janë në burg në Britani, unë i marr të gjithë mbrapsht”, u zotua Rama.
Ndërkohë, Farage ka paralajmëruar se do të ndjekë me vëmendje zhvillimin e kësaj çështjeje, duke sinjalizuar se do të insistojë që premtimi i Ramës të përmbushet, në rast se shifrat rezultojnë të sakta.
Përplasja vjen pak javë pas vizitës së kryeministrit britanik Keir Starmer në Tiranë, ku u diskutua mbi rikthimin e emigrantëve të paligjshëm dhe krijimin e qendrave të pritjes për ta. Rama ka refuzuar të pranojë hapjen e këtyre qendrave në territorin shqiptar, por është shprehur i hapur për bashkëpunim institucional.

