Shkrime
‘Vila e Diktatorit’ e kamufluar me art/ Ç’na treguan molotovët mbi shtëpinë e Enverit
Fatos Lubonja
Ajo që ndodhi qe një ripërsëritje e traumës nëpërmjet zhvendosjes së zemërimit ndaj autokratit të gjallë tek shtëpia e diktatorit të vdekur
Një artiste e huaj që ka qenë me grupin e parë të atyre që qëndruan në vilën e Enver Hoxhës më dërgoi një mesazh, ku më kërkoi një mendim për çfarë ndodhi gjatë protestës së fundit, kur mbi vilën e Hoxhës u hodhën molotovë. Thelbin e përgjigjes që i dërgova po e bëj të njohur edhe për publikun shqiptar, pasi mendoj se kjo ngjarje meriton një debat të gjerë, ndonëse për fat të keq po ndodh në një moment të papërshtatshëm historik si brenda vendit, edhe në nivel botëror.
Ajo që i shkruaja pak a shumë ishte se molotovët mbi vilën e Hoxhës ishin një “displacement” (zhvendosje) e zemërimit. Pra, në vend që të sulmonin autokratin e gjallë, protestuesit sulmuan një zëvendësues simbolik të tij, shtëpinë e diktatorit të vdekur. Kjo pasi është më e lehtë ose më pak e rrezikshme të sulmosh simbolin e një autokracie të vdekur sesa autokratin e gjallë. Sigurisht, ky sulm lidhet edhe me faktin se partia e Ramës është trashëgimtare e partisë së Hoxhës dhe se kjo shtëpi pritjeje për artistët perëndimorë, që menaxhohet nga një fondacion francez me lidhje me presidentin Macron, është kthyer në një simbol të pushtetit pasi i shërben autokratit për të forcuar legjitimitetin e tij ndërkombëtar (përveçse për të kooptuar artistë e intelektualë shqiptarë). (Në një mesazh të dytë, për të ilustruar këtë i dërgova edhe një postim të debatikcenter, ku thuhej ndër të tjera: “kur Rama denoncon protestuesit e opozitës si terroristë të paqytetëruar, të pakulturuar, që e urrejnë artin – mos harroni se ky është një diskurs i koduar orientalist që vjen nga një mashtrues fashist, i cili ka plaçkitur sistematikisht pasurinë e vendit të tij për 13 vitet e fundit, duke e ofruar atë rregullisht për interesat e pista të fuqive imperiale dhe neokoloniale (SHBA dhe BE), ndërkohë që përdor artin për të veshur politikën e tij me një ajër të koduar perëndimor të kultivimit, rafinimit dhe sofistikimit. Kjo është e vërteta e të ashtuquajturit “bashkim” i artit dhe politikës në Shqipëri, dhe të gjithë artistët dhe punonjësit e kulturës që respektojnë veten duhet ta analizojnë me kujdes situatën dhe të distancohen nga përpjekje të tilla të hapura për kooptim.”)
Gjithsesi – vazhdova në mesazhin tim të parë – sulmin ndaj kësaj vile, në një rrafsh më të thellë psikologjik, unë e shoh si një përsëritje të traumës, si tregues se shqiptarët po e përsërisin të kaluarën, sepse nuk e kanë trajtuar atë siç do të duhej ta kishin trajtuar.
Për t’i shpjeguar çfarë desha të them i dërgova edhe një reagim të Andi Tepelenës të titulluar “Vila e Diktatorit e kamufluar me art bashkëkohor”:
“Fantazmat e së kaluarës do na përndjekin ende si popull. Vendet e kujtesës me ngarkesa të forta simbolike duhet të shërbejnë si mundësi për të ruajtur kujtesën kolektive. Transformimi nga vende të krimit në vende të artit, jo vetëm nuk shërojnë dhimbjen, por shtrembërojnë vetëdijen dhe reflektimin. E thënë shkurt dhe troç, Vila e Enver Hoxhës në Bllok, nuk duhet të kamuflohet me një vend për zhvillimin e artin bashkëkohor që shikon nga e tashmja, por duhet të kthehet në muze të krimeve të komunizmit që mos të harrojmë ndër breza të kaluarën diktatoriale.
P.S. Keqardhje për artistët e huaj që u ndodhën aty, aq më shumë që nuk kanë lidhje me historinë tonë totalitare dhe nuk ndjejnë. Mund dhe të kishin rrezikuar jetën, njëlloj si artistët shqiptarë që desh gjetën vdekjen nën rrënojat e Teatrit Kombëtar nga rruspa Rama & Veliajt”.