Connect with us

Aktualitet

100 mijë € për çiftet që zgjedhin jetën në fshat/ Vendimi joshës i qeverisë

Të rinjtë që kanë braktisur fshatrat në Maqedoninë e Veriut, së shpejti mund të kenë një arsye të fortë për t’u kthyer në vendlindje madje edhe ata që planifikojnë të largohen, do të stimulohen për të qëndruar.

“Qeveria e Maqedonisë së Veriut planifikon t’i stimulojë ata përmes një mbështetje financiare që arrin deri në 100 mijë euro – ndihmë që do të ofrohet përmes një ligji të ri për bujqësinë dhe zhvillimin rural. Kushti është i qartë: përfituesit duhet të merren me bujqësi për të paktën 10 vitet e ardhshme. Përndryshe, mbështetja do të duhet të kthehet në tërësi,” thotë Ferikan Iljazi – gazetare e Euronews Albania në Maqedoninë e Veriut. Projektligji, i cili aktualisht është në shqyrtim publik, parashikon që kjo shumë t’u ndahet çifteve të reja deri në moshën 40 vjeç, që vendosin të ndërtojnë një të ardhme në fshat përmes investimeve në bujqësi.

Mjetet do të mund të shfrytëzohen për ndërtimin ose rindërtimin e shtëpive dhe objekteve ndihmëse, blerjen e tokës dhe mekanizimit bujqësor, apo për krijimin e fermave. Ligji parashikon edhe mbështetje për të rinjtë që duan të nisin një biznes të ri në fshat – në këtë rast, po ashtu mund të përfitojnë deri në 100 mijë euro.

“Shteti do të mbulojë deri në 70% të kostove për të siguruar prodhimet bujqësore – një ndihmë kjo e rëndësishme për kohën kur ndryshimet klimatike po sjellin gjithnjë e më shumë dëme,” thotë Ferikan Iljazi – gazetare e Euronews Albania në Maqedoninë e Veriut.

Parashikohet edhe mundësia për bashkëpunime mes fermerëve – nëse të paktën dy prej tyre fillojnë një projekt të përbashkët, ata do të kenë të drejtë për mbështetje financiare që mbulon deri në 70% të shpenzimeve për realizimin e aktiviteteve.

Përveç kësaj, për fermerët do të ketë ndihmë edhe për interesat e kredive dhe garancitë bankare – një mënyrë për të lehtësuar qasjen në financa për ata që duan të investojnë në prodhim, përpunim apo tregtim të produkteve bujqësore.

Ligji përfshin edhe ndihmë për blerjen e karburantit për makineritë bujqësore, përmes të ashtuquajturës “naftë e gjelbër”. Mbështetja mund të arrijë deri në 100% të kostove, por jo më shumë se 1,600 euro për çdo ekonomi bujqësore.

Dhe kur tregu dështon, shteti parashikon të ndërhyjë me një fond të posaçëm për të zbutur pasojat nga çrregullimet e tregut dhe rritja e kostove.

Ligji i ri për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural është publikuar dhe do të jetë i disponueshëm për shqyrtim publik deri më 28 maj, ndërsa një seancë dëgjimore publike është planifikuar për 2 qershor.

Advertisement