Connect with us

Sport

Rrëfimi i Ardon Jasharit: Milani është magji, Allegri një trajner i madh, kam stilin e Pirlos

Mesfushori Ardon Jashari ka rrëfyer emocionet e tij në një intervistë për Sportmediaset, duke theksuar se tashmë ndihet plotësisht i rikuperuar dhe gati për të dhënë maksimumin me fanellën e Milanit.

“Po, tani ndihem 100% në formë dhe po punoj edhe më shumë për të ndihmuar skuadrën të fitojë ndeshjet”, u shpreh Jashari, për të cilin Milani pagoi 36 milionë euro pas negociatave të gjata me Club Brugge.

Një frakturë në këmbë e pësuar në gusht e mbajti jashtë për pjesën e parë të sezonit, por mesfushori ka nisur të rikthejë formën optimale, siç u pa në ndeshjet e fundit.

Jashari foli edhe për tratativat e gjata që e çuan në “Milanello”.

“Milani do të thotë shumë për mua. Kur më thanë se mund të vija në Milano, ishte një ëndërr e bërë realitet. Pas një negociate të gjatë, arrita të transferohem në këtë klub magjik”, deklaroi ai.

Objektivi kryesor mbetet rikthimi në Champions League. “Kur luan në atë kompeticion, përjeton netë magjike. Duhet ta arrijmë së bashku”, theksoi Jashari.

Ai nuk kurseu elozhet për trajnerin Massimiliano Allegri: “Është një trajner i madh. Për eksperiencën dhe trofetë e fituar, duhet vetëm ta dëgjosh. Ai e njeh në detaje futbollin italian dhe di çfarë duhet për të fituar”.

Në fund, Jashari zbuloi edhe idhujt e tij nga Serie A: “Kam ndjekur shumë futbollin italian, veçanërisht Andrea Pirlo dhe Roberto Baggio, por mbi të gjitha stilin e Pirlos”.

Advertisement