Aktualitet
‘103 ton mallra të bllokuara në 20 ditë”/ Mbyllet faza e parë e aksionit për sigurinë ushqimore

Drejtoria e Tatimeve njofton se është mbyllur faza e parë e kontrollit të bizneseve që tregojnë produkte bujqësore dhe blegtorale. Aksioni që ka vijuar në të gjithë vendin, ka për qëllim për formalizimin dhe përmirësimin e sigurisë ushqimore në tregun e produkteve bujqësore dhe blegtorale. Përmes një njoftimi zyrtar, Drejtoria e Tatimeve ka bërë me dije se në 20 ditët e fundit janë ushtruar kontrolle në 282 subjekte ku dhe është bërë i mundur sekuestrimi i 103 ton mallrave. Ndërkohë, tatimet njoftojnë se një tjetër fazë monitorimi do të nisë së shpejti.
“Përfundon faza e parë në terren, në kuadër të përpjekjes së vazhdueshme të forcimit të ligjshmërisë fiskale në sektorin e produkteve bujqësore dhe blegtorale. Nis faza e dytë e monitorimit, që synon të verifikojë në vazhdimësi shoqërimin e produkteve me faturë tatimore. Qëllimi është i qartë: Formalizim i tregut, rritje e sigurisë ushqimore dhe mbrojtje e konsumatorit! Zero Tolerancë ndaj subjekteve, pjesë e zinxhirit të tregut të produkteve bujqësore dhe blegtorale, që nuk respektojnë ligjin”, shkruajnë Tatimet.
Aksioni nisi me urdhër të kryeministrit Edi Rama, i cili u shpreh se qëllimi është garantimi i sigurisë ushqimore. Ishte vetë Rama që bëri me dije se aksioni në terren do të niste për konfiskimin e qumështit dhe bulmetrave pa faturë. Kreu i qeverisë tha se siguria ushqimore është pika më e dobët që kemi në negociatat për anëtarësim.

