Rajon
15-vjetori i Pavarësisë së Kosovës, Vuçiç: Sot është ditë e vështirë
Presidenti i Serbisë Aeksandër Vuçiç ka reaguar për 15-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Vuçiç ka postuar një video në instagramin e tij nga aeroporti i Mynihut, ku po merr pjesë në mbledhjen e Sigurisë.
Vuçiç thotë se kjo është një ditë e vështirë pasi 15 vjet më parë e ‘ashtuquajtura Kosovë’ ka shpallur pavarësinë. Ndërkohë ai thotë se javën në vijim do të kenë lajme të mira për qytetarët serbë në lidhje me Kosovën dhe se do të mbrojnë interesat e tyre.
‘Gjermanët mikpritës, kësaj radhe për shkak të grevës në aeroport, nuk mund ta dërgojnë mjetin menjëherë, ndaj qëndruam edhe pak. Sot kemi një ditë të vështirë dhe rraskapitëse. Kanë kaluar saktësisht 15 vjet që kur shqiptarët shpallën pavarësinë e Kosovës dhe sot do të jetë një ditë e ngarkuar me plot surpriza për ne. Ne do të bisedojmë me Blinken, Scholz, Macron, Cleverly, Mitsotakis dhe shumë të tjerë dhe besoj se do të luftojmë me sukses për interesat e Serbisë. Ka edhe një lajm të mirë që do t’ua përcjellim qytetarëve të Serbisë, disa sot e disa pas shtatë ditësh për Kosovën. Ne do ta mbrojmë vendin tonë, paqen, por edhe interesat tona jetike kombëtare – tha Vuçiç.
Kosova e ka shpallur pavarësinë më 17 shkurt 2008, por Serbia ende nuk e njeh dhe janë në proces dialogu dhe herë pas here ka pasur shumë tension në Mitrovicën e Veriut. Të dyja palët kanë rënë dakord në parim që të dialogojnë me një propozim nga Bashkimi Europian për normalizimin e marrëdhënieve, por propozimi ende nuk është bërë publik. Kosova insiston që s’do të ketë dialog nëse nuk ka njohje reciproke.