Connect with us

Kosova

16 vjet të pavarur, rrugëtimi i shtet-ndërtimit të Kosovës

Rrugëtim i gjatë dhe i vështirë, me vuajtje dhe sakrifica, e përcolli Kosovën deri në pavarësimin e saj. Për vite me radhë, deri në qershor të vitit 1999, qytetarët e saj vuajtën pasojat e spastrimit etnik nga regjimi serb i Millosheviqit.
Pasi u mbajtën disa raunde bisedimesh, Kosova u shpall e pavarur më 17 shkurt të vitit 2008, në orën 15:39, në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë. Deputetët e komunitetit serb nuk ishin të pranishëm në seancë.

Deklaratën e Pavarësisë e lexoi kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi. Ishte ajo deklarata e pavarësisë së shtetit më të ri në botë.

Të parët që nënshkruan deklaratën e pavarësisë së Kosovës, ishin: presidenti Fatmir Sejdiu, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, si dhe kryeministri i vendit, Hashim Thaçi.

Shtetet e para që njohën Kosovën si shtet pas shpalljes së pavarësisë ishin: Kosta Rika, SHBA-ja, Franca, Afganistani, Shqipëria, Turqia, Britania e Madhe, ndërsa aktualisht vendi ka 117 njohje.

Por ligjshmëria e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës për një kohë ka qenë temë e diskutueshme.

Serbia duke kundërshtuar Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, kërkonte vlerësimin e vlefshmërisë ndërkombëtare dhe mbështetje për pozicionin e saj, gjoja se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës ishte e paligjshme. Në vazhdën e kësaj ecurie, në tetor të vitit 2008, Serbia kërkoi një opinion këshillues nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

Më 22 korrik të vitit 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë përmes një Vendimi Këshillëdhënës, rikonfirmoi se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur asnjë nen të Ligjit Ndërkombëtar.

E sot Kosova feston plot 16 vjet pavarësi.

Megjithatë, sfidë për konsolidimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare mbetet dialogu me Serbinë.

Në vitin 2010, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutën e sponsorizuar nga 27 vendet e atëhershme të Bashkimit Evropian, e cila hapi rrugë për fillimin e dialogut Kosovë –Serbi, të lehtësuar nga BE-ja, me qëllim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit.

Në shumë raporte dhe analiza të shoqërisë civile në Kosovë potencohet se zbatimi i marrëveshjeve nuk ka qenë i kënaqshëm, duke u nisur nga vet natyra e marrëveshjeve, si dhe mosgatishmëria e Serbisë për t’i zbatuar ato. Ndërkaq, si element i veçantë në këto marrëveshje është karakterizuar dykuptimësia konstruktive ose ambuiguiteti, metodë kjo për t’iu përshtatur qëndrimit të palëve rreth statusit së Kosovës.

Aktualisht në Kosovë është në pushtet, kryeministri Albin Kurti, i cili ka fituar mbi 50 për qind të votave në zgjedhjet e vitit 2021. Ndërkaq, prej pavarësisë e tutje kanë udhëhequr me vendin gjashtë qeveri të ndryshme.

Orientimi i Kosovës është për integrim të plotë në Bashkim Evropian. Në dhjetor të vitit 2022, Kosova ka dorëzuar aplikacionin për marrjen e statusit “vend kandidat”, mirëpo i njëjti ende nuk është shqyrtuar nga BE-ja.

Pas 12 viteve prej kur kishte pranuar udhërrëfyesin për liberalizim të vizave, prej janarit të këtij viti, qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë lirshëm në vendet e Bashkimit Evropian, pasi është hequr regjimi i vizave.

Në anën tjetër, Kosova në vitin 2022, ka aplikuar edhe për anëtarësim në Këshillin e Evropës, proces ky i cili po vazhdon ende.

Viti 2023, ishte situatë mjaft e vështirë për vendin pas sulmit terroristë serb në veri, ku mbeti i vrarë një Polic i Kosovës dhe u plagosën disa të tjerë. Kurse, me kërkesën e shtensionimit të situatës atje, bashkësia ndërkombëtare vendosi sanksione ndaj vendit tonë, të cilat ende po vazhdojnë.

Kosova aktualisht po përballet me presion ndërkombëtar për shtyrje të vendimit të BQK-së për rregulloren, e cila nënvizon se vetëm monedha euro mund të përdoret për qëllime të pagesave brenda Kosovës.

Advertisement