Connect with us

Sport

Katar 2022/ ‘Pleshti’ një hap larg historisë

FT/ Argjentinë 3 – 0 Kroaci (Messi 34′, Alvarez 39′, 69′)

Argjentina fitoi 3-0 me Kroacinë në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Botës dhe bëhet finalistja e parë e “Katar 2022”. Në stadiumin “Lusail Iconic” skuadra e Lionel Scalonit nuk e vendosi në diskutim fitoren duke dominuar me raste të pastra. Lionel Messi në minutën e 34 dhe Alvarez në minutat 39 dhe 69 vendosën ndeshjen. “Pleshti” shkëlqeu në këtë përballje duke shënuar një gol dhe asistuar për Alvarez.

“Albiceleste” prek finalen e gjashtë të Botërorit, nga të cilat dy herë ka triumfuar (1978, 1986). Tetë vite nga finalja e fundit për Messin, kapiteni i Argjentinës ia del të shkojë në një tjetër finale të madhe duke kërkuar të ngrejë trofeun më të rëndësishëm në botë për herë të parë.

Tanimë Argjentina pret e qetë ndeshjen e nesërme mes Marokut dhe Francës për të mësuar kundërshtarin e finales së madhe që luhet në Doha të diel në 16:00.

VIDEO:

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:

 

Ora 22:36

VIDEO/ Argjentina do tentojë trofeun e Kupës së Botës, gazetari shqiptar feston ndryshe! Heq derën e dhomës

1670967235_finalprojekt.00050024.Still002.jpgGazetari Berat Buzhala e ka festuar ndryshe kalimin e Argjentinës në finalen e Botërorit “Katar 2022”. Shqiptari i Kosovës ka hequr një nga dyert e shtëpisë nga festa e madhe për kalimin e skuadrës së Argjentinës në finale.

Ora 22:29

Argjentina në finale, Messi: Kërkuam besim sepse e dinim që do ishim këtu

Argjentina fitoi 3-0 me Kroacinë në gjysmëfinalen e Kupës së Botës duke marrë biletën për në finalen e madhe të 18 dhjetorit. Pas ndeshjes kapiteni Lionel Messi i Argjentinës tregoi përjetimin.

“Më kanë kaluar shumë gjëra në mendje, është shumë emocionuese. Të shohësh këta njerëz, familjen gjatë gjithë Botërorit… ishte diçka e pabesueshme, tani jemi aty ku dëshironim të ishim. Po i gëzohem shumë deri këtu ku kemi mbërritur, e nisëm duke humbur. I kërkuam njerëzve që të kishin besim te ne pasi e dinim. Ky grup është i çmendur, ia dolëm. Ndaj të gëzojmë gjithçka. Në këto momente kujtohem për familjen time, ky është maksimumi për mua, e kemi kaluar shumë keq dhe tani mund të përjetojmë diçka spektakolare”, tha Messi.

Ora 21:32

VIDEO/ Ndalni Messin! ‘Pleshti’ çorodit mbrojtjen kroate, Argjentina shënon golin e 3-të

69′ / Argjentinë 3-0 Kroaci. Alvarez shënon golin e dytë personal dhe të tretin te Argjentina. Lionel Messi bën çfarë do kundër Gvardiol dhe shërben për sulmuesin e City që nuk e ka të vështirë të shënojë golin e tretë.

Ora 20:41

VIDEO/ Kundërsulm model dhe 50 metër sprint, Argjentina shënon golin e dytë! Kroacia ‘në tapet’

39′ / Argjentinë 2-0 Kroaci. Julian Alvarez shënon golin e dytë për Argjentinën. 50 metër sprint nga sulmuesi që është me fat në dy raste me topin që bën ping-pong në zonë dhe më pas përfundon në rrjetë.

Ora 20:34

VIDEO/ Penallti dhe gol, Lionel Messi kalon në avantazh Argjentinën

34′ / Argjentinë 1-0 Kroaci. Lionel Messi shënon golin e parë të ndeshjes. Një aksion i bukur nga Alvarez bën që Livakovic të rrëzojë sulmuesin në zonë, me Orsaton që ka akorduar 11 metërsh. Nga pika e bardhë Messi nuk mund të gabonte duke dërguar Albicelesten në avantazh.

Ora 19:31

Rekordet unike që Lionel Messi i ka thyer ose mund t’i kalojë në ndeshjen e sotme

Argjentina dhe Kroacia luajnë sot në 20:00 për gjysmëfinalet e Kupës së Botës. FIFA ka publikuar disa prej rekordeve që Lionel Messi i ka barazuar, apo është pranë për t’i kaluar në Kupat e Botës.

Ato përfshijnë:

– Messi ka 24 paraqitje në Kupat e Botës, një më pak se rekordi që mbahet nga Lothar Matthaus.

– Messi dhe Rafa Marquez kanë së bashku më së shumti paraqitje si kapiten në Botërore, 18 gjithsej.

– Messi mund ta thyejë rekordin e Paulo Maldinit për më shumë minuta të zhvilluara në Kupat e Botës (2,217), nëse ndeshja e sotme shkon në shtesë.

– Gabriel Batistuta dhe Messi janë golashënuesit më të mirë të Argjentinës në Kupën e Botës me nga dhjetë gola.

Ora 19:22

VIDEO/ 40 minuta para ndeshjes në Kupën e Botës, fanellë gjigante në ajër me emrin e Messit

Argjentina dhe Kroacia luajnë sot në 20:00 për gjysmëfinalet e Kupës së Botës. Në Argjentinë janë të “çmendur” pas futbollit, teksa në Rosario që është vendlindja e Lionel Messit është shfaqur një fanellë gjigante me emrin e yllit të futbollit. Një helikopter mbante të varur fanellën bardhekaltër me numrin 10 dhe emrin e Messit, teksa argjentinasit presin shumë nga “Pleshti” sot.

Ora 19:13

VIDEO/ Missi që trazoi Katarin, Ivana Knoll zgjedh fituesin e Argjentinë – Kroaci! E pëson bashkëkombasi

Ish-miss Kroacia, Ivana Knoll është kthyer në personazh gjatë Botërorit të Katarit. Me veshjet e saj provokuese ajo ka marrë vëmendjen e fansave në stadium dhe mediave sociale. Së fundmi, në një provë se cili ekip fiton sot mes Kroacisë dhe Argjentinës, bukuroshja ka zgjedhur vendin e saj por në një ushtrim që nuk ka kaluar pa pasoja për bashkëkombasin e saj.

Ora 18:56

Serbët i vranë gjyshin në 18 dhjetor, Modric kërkon finalen e Botërorit: Kam të njëjtin emër si ai

Kroacia dhe Portugalia luajnë sot në 20:00 për gjysmëfinalet e Kupës së Botës. Kapiteni kroat, Luka Modric ka bërë një rrëfim për faqen e FIFA në dokumentarin “Kapitenët” duke treguar se në 18 dhjetor të 1990 serbët i vranë gjyshin që kishte të njëjtin emër me të. Në kulmin e luftës për pavarësi nga serbët, shumë kroatë humbën jetën. Modric ka kujtime të zymta nga ajo kohë, teksa kërkon finalen e Kupës së Botës në një datë që ai e kujton për keq.

“Unë ende e mbaj mend shumë mirë gjyshin tim. Unë kam të njëjtin emër si ai. Jam i trishtuar që nuk mund të shoh gjithçka që kam arritur, por ai padyshim është atje lart duke më parë. E di që do të jetë krenar. Nuk e dija çfarë ndodhi kur e sollën në shtëpi. E vetmja gjë që ndjeva ishte trishtim. Babai më përqafoi dhe më drejtoi te arkivoli i tij e më tha: ‘Bir, shko thuaj lamtumirë gjyshin tënd’. Nuk mund ta kuptoja se ishte hera e fundit që do ta shihja. Prindërit më nxorën nga dhoma, donin të më largonin”, tregon Modric.

Ora 18:17

VIDEO/ Çmenduri në prag të ndeshjes së Botërorit, tifozët e Argjentinës dalin me tank në qytet

Argjentina dhe Kroacia luajnë sot në 20:00 për gjysmëfinalet e Kupës së Botës. Në prag të ndeshjes tifozët e amerikano-latinëve kanë dalë në rrugët e qyteteve të tyre me tank. E çuditshme sesi është siguruar një mjet lufte, ndërsa duket se ata nuk ndalen në mbështetje të ekipit.

Advertisement