Aktualitet
I hoqën ndihmën ekonomike/ 58-vjeçarja vdes pas takimit me kryetaren e Bashkisë
Tragjikomedi shqiptare, gruaja i vdes në zyrë, kryetarja e bashkisë Lushnje ther një pulë të zezë për të hequr tersin
LUSHNJE– Një 58-vjeçare nga fshati Çinar, e identifikuar si Shpresa Cani ka ndërruar jetë këtë të enjte në ambientet e Bashkisë së Lushnjes, pasi kishte shkuar për të kërkuar se përse i ishte hequr ndihma ekonomike. 58-vjeçarja ka kërkuar takim me kryetaren e Bashkisë, Eriselda Sefa dhe është ngjitur në katin e dytë për të takuar kryetaren. Por sapo ka mbaruar takimin është ndjerë keq dhe është rrëzuar në tokë. Ambulanca e spitalit të Lushnjes mbërri në ambientet e bashkisë vetëm për të konstatuar vdekjen e saj. Megjithatë e gjithë ngjarja duket se e ka trembur kryebashkiaken, e cila ka kërkuar që të bëhej një kurban.
Ashtu siç zakoni në raste “fatkeqësish” në vendin ku ka rënë 58-vjeçarja, kryebashkiakja ka kërkuar të therej një pulë e zezë në ambientet e bashkisë.
Mesa duket kryebashkiakja ka marrë gjërat me radhë, fillimisht ka vendosur që të heqë “syrin e keq” nga Bashkia se ka zgjedhjet lokale para, në vend që të shkonte në Policinë e qytetit që të japë llogari për atë që ndodhi në zyrën e saj, me një qytetare për të cilën mban përgjegjësi. E që tek e fundit kërkonte të drejtën e saj, paratë që i takonin, për të cilat humbi dhe jetën.
E RËNDË! ‘Pse ma hoqe ndihmën ekonomike’/ 58-vjeçarja vdes pas takimit me kryetaren e Bashkisë së Lushnjes
LUSHNJE– Një 58-vjeçare ka ndërruar jetë në ambientet e brendshme të Bashkisë Lushnje. Gruaja, nga fshati Çinar, e identifikuar si Shpresa Cani, kishte shkuar në zyrat e bashkisë për të pyetur përse iu ishte hequr ndihma ekonomike.
Pasi është paraqitur në zyrën e informacionit, ajo është drejtuar Drejtorisë së ndihmës sociale. Raportohet se viktima ka debatuar ashpër me punonjësit e kësaj zyre rreth faktit të heqjes së emrit nga lista e përkrahjes sociale dhe është nxjerrë me forcë nga kjo zyrë.
Më pas 58-vjeçarja ka kërkuar takim me kryetaren e Bashkisë, Eriselda Sefa dhe është ngjitur në katin e dytë për të takuar kryetaren. Sapo ka kryer takimin ajo është ndier keq dhe është lajmëruar ambulanca e spitalit Lushnje.
Pas mbërritjes së ambulancës, se gruaja ka ndërruar jetë në vend. Pas kësaj ngjarjeje policia e Lushnjes ka referuar materialet në Prokurori, për të hetuar shkaqet e vdekjes së 58-vjeçares.
Akoma më tronditëse është fakti që sipas ‘Tvklan’, kryebashkiakja Eriselda Sefa ka kërkuar të therej një pulë e zezë në ambientet e bashkisë.