Connect with us

Shkrime

2025-ta: SHQIPTARËT DHE MAQEDONASIT

Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë: “Politika e jashtme e Shqipërisë është e harmonizuar 100 për qind me atë të BE-së” (shtator 2025, Slloveni)

Gordana Siljanovska – Davkova, Presidente e Maqedonisë së Veriut: “Aktualisht, ne jemi i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor me përputhshmëri të plotë, 100% me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së” (dhjetor 2025, Shkup).

Lexo dhe (mos) beso!

Shkruan: Seladin Xhezairi

Gjatë vitit që lamë pas elita politike maqedono-shqiptare në pushtet u mundua të shkruaj një faqe të re në historinë më të re Maqedonisë së Veriut. Pak a shumë si ajo e vitit 2006-2008 duke nxitur zhvillime që pushtetarët aktual shqiptarë i vënë në pozitë goxha të vështirë përballë elektoratit që nesër do t’ia kërkojnë votën. Kjo për shkak se po kjo elitë që fshehet prapa togfjalëshit VLEN, në zgjedhjet parlamentare të radhës, me shumë gjasë të parakohshme, nuk do të mund të llogarisë në ndihmën altruiste të VMRO-DPMNE-së, sikurse në zgjedhjet lokale që lamë pas. Thjesht, për shkak se pa votat maqedonase vështirë se ky grupim politik do të merrte Çairin, Tetovën, por edhe Strugën, pa çka se VLEN pati rol në garën për Kërçovën apo edhe Bërvenicën. Gjykoj se edhe mbështetja e LVV-së dhe Albin Kurtit, në të ardhmen, ka për të qenë në rënie. Edhe për këto arsye:

I.Në korrik të vitit 2019 me urdhër të Presidentit Stevo Pendarovski, gjenerali Besnik Emini mori detyrën komandant i Brigadës së Parë të Makinerisë Këmbësore në Komandën e Përbashkët Operative në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë së Maqedonisë së Veriut. Ai erdhi në vend të gjeneral-majorit Pavle Arsoski i cili, rikujtojmë, nuk kishte pranuar të përdorë emrin e ri kushtetues të shtetit. Çuditërisht, në qershor të vitit 2025 gjeneral Emini shkarkohet me dekret të pasardhëses së Pendarovskit, Gordana Siljanovska-Davkova. Nëse emërimi i Eminit atëbotë shënonte provën e avancimit të të shqiptarëve në insitucionet e sistemit, shkarkimi i tij u mor si dëshmi e fillimit të degradimit institucional, po të shqiptarëve. Mësohet se kjo lëvizje ka qenë mollë sherri edhe gjatë një takimi joformal mes Presidentes maqedonase dhe homologut të saj shqiptar, Bajram Begaj, në Sofje të Bullgarisë. Ndaj, edhe mungoi ftesa për një vizitë zytare në Tiranë.

II.“Kthimi i institucioneve” për të cilat pati folur në fillim të marrjes së mandatit kryeministri aktual maqedonas, Hristijan Mickoski, vazhdoi me po të njëjtin “elan” gati-gati në të gjitha levat e sistemit, ndaj sot jemi këtu ku jemi: Në pozitën “as mish, as peshk”, të artikuluar edhe përmes propozim-ligjit të ri për përfaqësimin e jomaqedonasve në administratën publike dhe shtetërore që paska marrë mendim pozitiv të Komisionit të Venecias! Pikërisht për shkak të mungesës së mekanizmave që do ta vënin në jetë një detyrim të këtillë kushtetues. Dhe, në fundvit kemi edhe “kthimin e emrit” të vendit, në fjalorin politik të pushtetetarëve maqedono-shqiptarë – Republika e Maqedonisë, sikur për t’i dhënë një grusht Marrëveshjes së Prespës me Greqinë me të cilën vendi ynë quhet Repulika e Maqedonisë së Veriut! Të sfidosh kështu Athinën zyrtare a nuk do me thënë të krijosh një problem shtesë për tentativën për t’u bërë, edhe ne, pjesë e familjes evropiane, pjesë e BE-së?

III.Në një vit politik të tensionuar, dy deklarata nga dy liderë të rëndësishëm të Ballkanit Perëndimor – Edi Rama dhe Gordana Siljanovska-Davkova – shpalosën një pasqyrë të ndryshme për të ardhmen e shqiptarëve dhe maqedonasve në një proces të rëndësishëm: atë të integrimit evropian: Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar në shtator të këtij viti, në Konferencën e 20-të ndërkombëtare të Forumit Strategjik të Bledit në Slloveni, se “politika e jashtme e Shqipërisë është 100 për qind e harmonizuar me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian (BE) prej shumë kohësh”.

“Mendoj që problemi kryesor që ka Evropa është çfarë drejtimi do të marrë. Do të thellohet në rrugën e saj për t’u shndërruar në shtetet e bashkuara të Evropës apo do të shpërbehet në copa të ndryshme me gjithësecilin që vendos se sateliti i kujt do të bëhet sepse nuk ka shans që të ndahesh dhe të dalësh nga ky klub i madh dhe pastaj të kesh ndonjë histori të lavdishme përveçse të bëhesh satelit i dikujt tjetër. Kjo është ajo pikëpyetja e madhe, përgjigjen e së cilës nuk e kam”, -është shprehur kryeministri shqiptar.

Përkundër tij, presidentja maqedonase, Gordana Siljanovska – Davkova, në fjalimin vjetor në Parlamentin e Maqedonisë, ka rrahur gjoks se “aktualisht, ne jemi i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor me përputhshmëri të plotë, 100% me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së”:

“Mesazhin që po dërgoj, të nderuar, sot nga ky Kuvend është se pa garanci të qarta nga BE-ja dhe Bullgaria dhe pa mekanizma mbrojtës të përshtatshëm, me një ndryshim tjetër kushtetues, rrezikojmë të dalim nga ky proces ashtu siç doli nga deti plaku i Hemingway-t: me një skelet peshku, me sovranitet dhe identitet të zhveshur dhe të gërryer, kombëtar dhe kulturor,” – ka thënë presidentja maaqedonase pa lënë të kuptohet se bullgarët do të mund të përfshihen së shpejti në në Kushtetutë, një parakusht ky për zhbllokimin e negociatave për anëtarësim në BE.

IV.Nevzat Halili(1946), Abdurrahman Aliti ( (1945-2013), Arben Xhaferi (1948-2012), Rufi Osmani (1960), Imer Imeri (1942-2008) dhe Ali Ahmeti (1959), janë politikanët emrat e të cilëve nuk mund të anashkalohen në historinë më të re të Maqedonisë në përgjithësi dhe të shqiptarëve në veçanti – për barazi komëtare, politike dhe institucionale. Në këtë proces, Ali Ahmeti përmendet si një personalitet që ka imponuar një realitet politik të pashlyeshëm: Marrëveshja e Ohrit, përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe, përfaqësimi proporcional dhe ndarja reale e pushtetit, janë disa nga arritjet që nuk mund të zhbëhen, pavarësisht cikleve zgjedhore. Me gjithë kritikat, Ahmeti mbetet një aktor kyç në politikën shqiptare të Maqedonisë dhe ndoshta një nga ata që mund të sfidojnë status quo-në në të ardhmen. Rifreskimi i radhëve të partisë së tij në Kongresin e javës së kaluar, do ta ketë testin e parë në zgjedhjet e radhës. Po kjo vlen edhe për kundërshtarët e tij politik nga grupimi ende i pa profilizuar VLEN. Për shkak se parlamentaret deri tani ia kanë treguar secilës parti e secilit politikan se ku e ka vendin!

Advertisement