Connect with us

Politike

21 janari me prova të reja nga Turqia/ Lapaj: Plumbi në kokën e një prej viktimave…

Kreu i “Shqipëria Bëhet” dhe avokati Adriatik Lapaj ka komentuar zhvillimet e fundit sa i përket dosjes të “21 Janarit”.

Lapaj zbuloi se ka informacione të reja nga Turqia të cilat tregojnë se plumbi i gjetur në kokën e një prej viktimave nuk është nxjerrë nga një armë e shtetit shqiptar.

Sipas kreut të “Shqipëria Bëhet”, kanë qenë familjarët e personave që humbën jetën ata të cilët e kanë vendosur në dijeni lidhur me këtë gjetje të autoriteteve turke.

 “Në dijeninë time ka prova të reja nga Turqia. Plumbi i gjetur në kokën e një të prej të dëmtuarve rezulton që nuk është qitur nga një  armë e shtetit shqiptar. Mund ta kem gabim por ky informacion më ka ardhur. Është ngjarje që ulëret për drejtësi. Nuk e kam burim zyrtar. E thashë, sepse nuk kam pse mos e them, përderisa e kam si informacion. Informacionin e kam nga njerëzit që kanë humbur familjarët”, tha Lapaj, duke theksuar më tej se ka ardhur koha që të vendoset drejtësia për gjakun e derdhur më 21 Janar të 2011.

Kujtojmë se një ditë më parë, në ambientet e Prokurorisë së Posaçme u paraqit ish-kreu i PD-së Lulzim Basha, i cili në 2011 shërbente si ministër i Brendshëm.

Ndonëse vetë Basha nuk dha detaje lidhur me çështjen për të cilën u paraqit në Strukturën e Posaçme, burime për mediat nga organi i akuzës konfirmuan se ish-ministri u thirr për t’u pyetur si person në dijeni lidhur me masakrën e 21 Janarit , ku në Bulevard u vranë katër protestuesit e pafajshëm, Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika.

Advertisement