Bota
24 orë terror dhe dhimbje në Gaza/ 89 viktima dhe 513 të plagosur

Të paktën 89 persona janë vrarë dhe 513 të tjerë janë plagosur në 24 orët e fundit nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës.
Siç raporton Al Jazeera, 31 persona u vranë teksa përpiqeshin të siguronin ndihma dhe pesë të tjerë humbën jetën nga uria. Shërbimet e shpëtimit raportuan gjithashtu se 28 persona u vranë nga një seri sulmesh ajrore në lagjen Zeitoun, në juglindje të qytetit të Gazës.
Në kufirin me Gazën, një grup grash izraelite nga lëvizja “Imahot Bahazit” marshuan duke kërkuar fundin e luftës dhe lirimin e pengjeve. Po ashtu, fakulteti i lartë i Universitetit Hebraik njoftoi grevë të dielën, 17 gusht, në shenjë solidariteti me familjet e pengjeve.
Shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, dënoi vrasjen e pesë gazetarëve të Al Jazeera-s në një sulm ajror izraelit, duke theksuar se Izraeli duhet të paraqesë prova të qarta për pretendimet se ata ishin pjesë e Hamasit.
Ndërkohë, Forcat Ajrore izraelite kanë ndaluar një dron të lëshuar nga Jemeni, ndërsa në Hagë, policia arrestoi tre persona të dyshuar për hedhjen e bojës së kuqe dhe dëmtimin e derës kryesore në ambasadën izraelite.

