Politike
2500 banesa individuale, 4800 apartamenten një financim drejtpërdrejtë nga buxheti i shtetit
Mirëdita të gjithëve! Faleminderit!
Sot kishim planifikuar një seancë komunikimi për shëndetësisë, por, për fat të keq, mbrëmë ministrja humbi babanë dhe seancën për shëndetësinë do ta zhvillojmë javën e ardhshme, besoj.
E pamë të udhës të fokusohemi tek rindërtimi, për të bërë një përditësim të programit, i cili po ecën me ritme shumë të larta. Natyrisht, për të folur edhe për impaktin e programit në ekonomi dhe në punësim. Programi adreson një problem jashtëzakonisht të mprehtë për mijëra familje, por ndërkohë krijon kushtet për një përfshirje masive të të gjithë kompanive të ndërtimit dhe për një përfshirje në punë të një numri të konsiderueshëm individësh.
Edhe projektbuxheti i vitit 2021 vazhdon të adresojë në mënyrë prioritare pasojat e tërmetit dhe fatkeqësinë tjetër të madhe, goditjen e vendit, të shoqërisë e të njerëzve tanë nga COVID-19.
Për programin e rindërtimit parashihen 28 miliardë lekë në projektbuxhetin e vitit që hyn. Gjithashtu, paralelisht është parashikuar edhe fondi në vazhdim prej 1.5 miliardë lekësh për bonusin e qerasë për familjet që do vijojnë të qëndrojnë në kushte shtëpie, deri në ditën që do të kthehen në apartamentet e reja.
Këtë vit janë 34 miliardë lekë të buxhetit të shtetit, të vendosura në dispozicion të rindërtimit, prej të cilave 32 janë të alokuara plotësisht. Nga këto, deri në fillim të tetorit janë 70 milionë dollarë të derdhura. Bëhet fjalë për shtëpitë për të cilat, një masë, përditë e më e konsiderueshme, banorësh po marrin çelësat. E gjithë pjesa tjetër e shumës është në themelet ose në strukturat e ndërtesave të reja, të shkollave, të qendrave komunitare dhe të infrastrukturës rrugore e nëntokësore të atyre që do të jenë së shpejti lagje të reja, të ngritura plotësisht nga e para në të gjitha zonat e prekura nga tërmeti.
Qëllimi ynë mbetet deri në fund që shtëpitë e rindërtuara të jenë më të mira, më të forta dhe në shumë raste, edhe më të mëdha se shtëpitë që familjet e goditura nga fatkeqësia humbën. Duke patur parasysh edhe faktin që ne kemi zgjedhur të bëjmë një politikë të mirëfilltë strehimi për të gjitha kurorat që ishin bashkë, në një kulm, në shtëpitë e shembura nga tërmeti, për të cilat do të ndërtohen shtëpi të veçanta dhe po ndërtohen ndërkohën që flasim.
Në Shijak, në Laç, në Durrës dhe në Fushë Krujë kemi tanimë një pamje evidente të një pune që shtrihet shumë përtej një rindërtimi mekanik. Bëhet fjalë për një rindërtim që niset nga bindja se kjo është një krizë që duhet të krijojë një mundësi dhe kjo krizë po kthehet në një mundësi, jo vetëm për familjet individualisht, por për komunitete të tëra që do të jetojnë në kushte krejtësisht të tjera, me standarde optimale. Mjafton të shikoni zhvillimet në Fushë Krujë, në Laç, në Thumanë apo zhvillimet në zonën e Kavajës, sikundër dhe të Shijakut.
Ndërkohë, me Durrësin, lajmi i mirë është se më në fund kemi përfunduar procesin e hartimit të marrëveshjes me Emiratet e Bashkuara. Tanimë jemi gati për firmën përfundimtare, për të cilën thjesht presim edhe pak ditë, sepse në ndërkohë po punojmë ngushtësisht me miqtë tanë në Emiratet e Bashkuara edhe për një marrëveshje të re ndërmjet dy qeverive për investime direkte në vendin tonë, posaçërisht investime direkte në zonën e prekur, investime direkte që lidhen me aspekte jashtë rindërtimit, kryesisht në funksion të zhvillimit të turizmit.
Në zonat Krujë, Vorë, Thumanë dhe Tiranë janë ndërtuar apo janë në rindërtim 850 shtëpi individuale, si dhe 3 lagje të reja. Ashtu sikundër kemi edhe një lage tjetër të re, më saktë, një bllok të konsiderueshëm pallatesh të reja në Krujë, gjë për të cilën po punohet ende intensivisht me projektin për shkak të terrenit jashtëzakonisht sfidues dhe të nevojës për të pasur një projekt, i cili të jetë një prurje e re, por në respekt të atij qyteti nga pikëpamja arkitekturore, në mënyrë që të sjellë një vlerë të shtuar për qytetin.
Në Shijak kemi 270 banesa individuale që, siç parashikojmë, do të jenë gati në fund të nëntorit me çatitë dhe brenda muajit dhjetor do të përfundojmë të gjitha rifiniturat. Të gjitha familjet do të hyjnë në shtëpi, siç ua kemi premtuar, për Vitin e Ri.
Ka filluar pjesërisht ndërtimi i 215 banesave individuale në Manze dhe i banesave të para individuale në Durrës. Ndërkohë po përfundon projekti i madh i infrastrukturës për lagjen e re të Durrësit, e cila do të ndërtohet në zonën e Spitallës. Do të jetë një lagje absolutisht me standarde optimale, ashtu sikundër edhe një vlerë e shtuar në atë zonë ku tanimë po merr formë Eco-parku, aty ku deri para pak kohësh gëlonte kanceri i madh i plehrave të Porto Romanos.
Në total janë 13 kantiere banesash individuale dhe 6 kantiere zonash të reja, punimet për të cilat do të përfundojnë 2-3 muajt e ardhshëm, kantier pas kantierit.
Po ashtu, besoj e keni parë që jemi në një proces jashtëzakonisht pozitiv me shkollat. Programi i rindërtimit do të akomodojë rreth 14 mijë fëmijë në shkolla dhe në 26 nëntor do të hapim pjesën e parë të shkollave që janë të financuara drejtpërdrejtë nga buxheti i shtetit.
Një pjesë e rindërtimit të shkollave do të mbulohet nga financimi i Komisionit Europian dhe procesi tani është drejt fundit nga pikëpamja e të gjithë kontratave dhe së shpejti do të jemi në hapjen e themeleve edhe për pjesën tjetër të shkollave.
Brenda këtij viti, ne parashohim të kemi rindërtuar 37 objekte arsimore, për të cilat do të shpenzohen 40 milionë dollarë nga buxheti i shtetit.
Brenda marsit të vitit të ardhshëm, ne besojmë që do të arrijmë në mbi 2500 banesa individuale, edhe këto të financuara drejtpërdrejtë nga buxheti i shtetit me rreth 60 milionë dollarë.
Siç e kemi thënë që në krye të herës, pak më i gjatë është procesi me apartamentet. Janë 16 zona në total, në të cilat do të rindërtohen 4800 apartamente dhe janë një financim prej 160 milionë dollarësh nga buxheti i shtetit. Janë 1.2 milionë metra katrorë sipërfaqe ku do ndërtohet infrastrukturë, ku përfshihen rrugë, rrjete kanalizimesh, rrjet ujësjellësi, rrjete ndriçimi, trotuare. Të gjitha këto do të jenë gati, besoj, brenda 9 mujorit të parë të vitit të ardhshëm.
Me projektin e shkollave dhe kopshteve jemi në një fazë të avancuar dhe mund të themi se kemi kryer 60% të punëve të parashikuara. Ndërkohë që me infrastrukturën jemi në 30% të punimeve ndërtimore.
Thënë këto, natyrisht mbetet nevoja për t’iu kërkuar të gjitha familjeve pak durim. Kini parasysh dhe të mos e harrojë askush se procesi i rindërtimit ka patur një pengesë të madhe, të krijuar nga karantina e përgjithshme. Natyrisht, procesi i rindërtimit ka edhe një aspekt tjetër që lidhet me donatorët, me të cilët kemi ecur më ngadalë sesa me fondet e buxhetit të shtetit për arsye të procedurave të tyre administrative, të cilat nuk mundet veçse t’i respektojmë deri në fund. E kam shpjeguar disa herë, donatorët nuk japin fonde drejtpërdrejtë në buxhetin e shtetit dhe as nuk ia lenë qeverisë shqiptare të menaxhojë fondet e tyre. Nuk e bëjnë askund në botë, nuk e bëjnë as këtu. Donatorët i menaxhojnë vetë fondet dhe të gjitha proceset me fondet e donatorëve bëhen nga vetë donatorët. Gjëja që ne kemi arritur e që është shumë pozitive dhe për këtë i kam falënderuar shumë herë partnerët tanë, është të disiplinojmë të gjithë procesin, duke standardizuar projektet dhe duke krijuar një sinergji mes nesh dhe gjithë forcave të tjera që do hyjnë në procesin e rindërtimit, në mënyrë që nga pikëpamja urbanistike, arkitekturore, cilësore të kemi një standard bazë të garantuar. Ky standard bazë është standardi optimal i të gjitha vendeve të Bashkimit Europian. Siç e keni parë, shkollat janë njësoj, asnjë ndryshim nga shkollat që frekuentohen nga fëmijët në vende të Bashkimit Europian, me të gjitha parametrat dhe të gjitha kushtet.
Po kështu do të jenë shtëpitë. Po kështu do të jenë apartamentet. Sfida jonë është të ndërtojmë apartamente, të cilat të jenë absolutisht niveli më i mirë i ndërtimit në vendin tonë dhe të mos ketë asnjë dallim nga pikëpamja e cilësore mes një apartamenti në mes të bllokut në Tiranë dhe një apartamenti në Spitallë, në Fushë Krujë, tek “5 Maji”, në Kombinat apo në Kavajë.

