Kosova
Ndizen tensionet politike/ Moscertifikimi i Listës Serbe: Vendim politik apo shkelje ligjore?
Moscertifikimi i Listës Serbe nga ana e Komisionit Qendror Zgjedhor, të enjten e 21 gushtit, për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, është cilësuar më shumë si një vendim i nxitur politikisht, sesa realisht një vendim që është marrë në suazat ligjore.
Kufizimi i pjesëmarrjes së një partie politike, sipas ekspertëve ligjor, duhet të bëhet vetëm përmes një procesi gjyqësor dhe me bazë ligjore të qartë, ndërsa ndërhyrjet administrative rrezikojnë të krijojnë tensione politike dhe të minojnë besimin e komunitetit ndërkombëtar.
Sipas tyre, çdo parti e regjistruar certifikohet automatikisht, përveç në rastet kur nuk i plotëson kërkesat administrative ose kur kandidatët individualë kanë papërshtatshmëri juridike (p.sh., dënime penale efektive brenda tre viteve). Nuk ekziston asnjë akt që shpall Listën Serbe si organizatë terroriste, ndaj në praktikë, moscertifikimi i saj nuk ka bazë ligjore të fortë dhe pritet që vendimi të rrëzohet nga PZAP-ja, siç ka ndodhur edhe më parë.
Për Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), KQZ-ja me këtë vendim i ka tejkaluar kompetencat e saj dhe ka hyrë në një fushë “që i takon vetëm institucioneve të drejtësisë dhe të sigurisë”.
“KQZ-ja, edhe një herë tjetër, në ndjekje të diskurseve partiake, e ktheu administrimin e zgjedhjeve në teatër politik”, deklaroi ai.
Cakolli ka vlerësuar se vendimi i KQZ-së do të rrëzohet nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, meqë praktika gjyqësore ka qenë konsistente, me pothuajse çdo rast të tillë të mosmoscertifikimit, të ndryshuar nga PZAP-i ose Gjykata Supreme.
“Ligji është i qartë: çdo parti e regjistruar certifikohet automatikisht, përveçse kur nuk i plotëson kërkesat administrative. Sa i përket kandidatëve individualë, kufizimet zbatohen vetëm nëse kanë papërshtatshmëri juridike, përfshirë dënime penale me burgim efektiv në tri vitet e fundit”, ka argumentuar ai.
Në vlerësimin e tij, përderisa nuk ka një akt që shpall një subjekt si organizatë terroriste, ai trajtohet si çdo pjesëmarrës tjetër që plotëson kriteret formale.
Në të njëjtën linjë të mendimit sikur Cakolli është edhe drejtori Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj.
“Sipas Kushtetutës së Kosovës, ligjeve të aplikueshme në Kosovë dhe opinioneve të Komisionit të Venecias një partie politike mund t’i kufizohet e drejta për të marrë pjesë në zgjedhje vetëm përmes një procesi gjyqësor duke e shpallur subjektin politik me vendim gjyqësor se ka cenuar rendin kushtetues të atij vendi”, ka shkruar ai në platformën sociale, Facebook.
Një subjekt politik që është regjistruar si parti politike sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, qoftë edhe Lista Serbe, në vlerësimin e Miftarajt, nuk mund t’i kufizohet e drejta e certifikimit si subjekt për të marrë pjesë në zgjedhje me vendim administrativ nga një organ administrativ në procedurë administrative.
“Me këto veprime në emër të patriotizmit po dëmtoni rëndë bazën e shtetit të Kosovës, demokracinë dhe raportet dhe besimin e shteteve mike në institucionet e Republikës së Kosovës. Me këto veprime po dërgoni ujë në mullirin e gabuar”, ka potencuar ai.
Në anën tjetër, sipas deputetit nga komuniteti serb, Nenad Rashiç, ky vendim i fundit i KQZ-së do t’i ndihmojë Listës Serbe në zgjedhjet lokale të 12 tetorit duke ia trasuar rrugën “për viktimizim para serbëve dhe ndërkombëtarëve”.
“Nuk kisha vepruar në këtë mënyrë, kur Lista Serbe përfiton, kur i japin material ku mund të flasin në media, ta dramatizojnë me qëllim dhe në fund të fundit vendimi, sipas meje dhe organeve që vijnë nga KQZ, do të mundësohet pjesëmarrja e tyre”, u shpreh ai.
Pas vendimit, Lista Serbe e cilësoi këtë akt si një tjetër shembull “të diskriminimit politik dhe manipulimit”. Në anën tjetër Serbia e kundërshtoi fuqishëm vendimin e KQZ-së duke i bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare të reagojë.
Të premten, një ditë pas vendimit, Lista Serbe u ankua në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke e etiketuar edhe njëherë vendimin si të “paligjshëm, diskriminues dhe anti-serb”.
PZAP e kishte rrëzuar një vendim të ngjashëm të KQZ-së muaj me parë për zgjedhjet parlamentare, duke ia mundësuar Listës Serbe pjesëmarrjen në votime.
Rekomandimi për certifikimin e Listës Serbe, i mori vetëm 2 vota për, 2 kundër dhe 7 abstenime gjatë një mbledhjeje të KQZ-së të enjten pasdite. Anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, ishin zëshëm kundër certifikimin të kësaj partie dhe ishin të vetmit që votuan kundër.
Ndryshe të enjten, e ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, pas takimit me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, në një prononcim të shkurtër për media ka shprehur shqetësim për tendencat që ka thënë se janë shfaqur me qëllimin që partive serbe t’u ndalohet pjesëmarrja në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Prattipati ka vlerësuar që është tejet e rëndësishme që serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhje.
“Kryeministri në detyrë dhe Vetëvendosje po shqyrtojnë t’i përjashtojnë disa nga partitë politike nga pjesëmarrja në zgjedhjet lokale. Të jemi të qartë, besojmë që të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të kenë mundësinë e plotë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre të zgjedhur”, ka thënë Prattipati
“Është shumë me rëndësi që serbët e Kosovës të përfshihen në këtë proces dhe jemi të shqetësuar për çdo tentim që limiton zgjedhjet e tyre. Ia kam bërë të qartë këto pika kryeministrit në detyrë dhe kam nënvizuar vëmendjen e SHBA-së për këtë çështje”, ka shtuar ajo.