Connect with us

Aktualitet

29-vjeçari tre ditë nën dhe/ Reagon Ministria e Mbrojtjes: Nuk e kemi gjetur ende

Ministria e Mbrojtjes ka dalë me një njoftim zyrtar,tre ditë pasi 29-vjeçari Ardit Beshiri ndodhet i bllokuar nën masivin e dherave. Ministria e Mbrojtjes bën me dije se operacioni për kërkimin e të riut vijon dhe se janë përfshirë Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi i bashkisë Klos, Forcat e Policisë, Punonjës të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera (AKSEM), Ekip mjekësor me autoambulancë, Forca vullnetare nga komuniteti, Efektivë të Forcave të Armatosura me pajisje për detektimin e metaleve dhe Punonjës të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore.

Mirëpo, sipas institucionit në fjalë, pavarësisht përpjekjeve të pandërprera, deri në këto momente nuk është bërë e mundur lokalizimi apo nxjerrja e trupit të punonjësit të ekskavatorit. Ministria shton se rrëshqitja e ndodhur përfshin një masë të konsiderueshme dheu, me përmasa të vlerësuara rreth 500 metra gjatësi, 20 metra gjerësi dhe mbi 4 metra thellësi dhe se terreni në zonën e prekur mbetet i paqëndrueshëm, që mund të sjellë rrezik shtesë për forcat e angazhuara në operacion.

Ardit Beshiri ishte duke punuar më 3 maj me eskavator kur një masiv i madh minerali dhe inertesh e zuri poshtë në fabrikën e përpunimit të Kromit. Ajo çfarë është gjetur deri sot janë vetëm disa copa të eskavatorit të shpërndara, por asnjë gjurmë nga 29-vjeçari. Në lidhje me këtë ngjarje të rëndë, Policia e Komisariatit të Matit arrestoi drejtuesin teknik të kësaj firme, 44-vjeçarin Ademir Lala për shkelje të rregullave të sigurimit teknik në punë.

Komunikatë për Shtyp

Rrëshqitje masive dheu në fabrikën e përpunimit të kromit në Klos – vijon operacioni për gjetjen e një punonjësi të zhdukur. Klos, 3 Maj 2025 – Rreth orës 14:30, në vendin e quajtur “Qafa e Burrelit”, në ambientet e fabrikës së përpunimit të kromit që ndodhet në territorin e bashkisë Klos, ka ndodhur një rrëshqitje masive dheu. Ngjarja e rëndë ka përfshirë një mjet tip ekskavator dhe ka mbuluar një punonjës të kompanisë që operon në shfrytëzimin e mineraleve në këtë zonë. Menjëherë pas ngjarjes, janë angazhuar forca të shumta në përpjekje për të gjetur dhe nxjerrë trupin e punonjësit të zhdukur.

Në operacionin kompleks janë përfshirë:

                •             Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi i bashkisë Klos,

                •             Forcat e Policisë,

                •             Punonjës të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera (AKSEM),

                •             Ekip mjekësor me autoambulancë,

                •             Forca vullnetare nga komuniteti,

                •             Efektivë të Forcave të Armatosura me pajisje për detektimin e metaleve,

                •             Punonjës të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore.

Rrëshqitja e ndodhur përfshin një masë të konsiderueshme dheu, me përmasa të vlerësuara rreth 500 metra gjatësi, 20 metra gjerësi dhe mbi 4 metra thellësi. Terreni në zonën e prekur mbetet i paqëndrueshëm, çka ka sjellë vështirësi të mëdha në ndërhyrjen me mjete të tjera të rënda, për shkak të rrezikut të rrëshqitjeve të mëtejshme. Për këtë arsye, ndërhyrjet po kryhen me kujdes ekstrem, për të shmangur çdo rrezik shtesë për forcat e angazhuara në operacion. Megjithatë, aktualisht në një pjesë të luginës është bërë e mundur ndërhyrja me ekskavatorë dhe mjete të tjera ndihmëse. Pavarësisht përpjekjeve të pandërprera, deri në këto momente nuk është bërë e mundur lokalizimi apo nxjerrja e trupit të punonjësit të ekskavatorit. Operacioni i kërkimit nën vijon me përkushtim maksimal, duke respektuar të gjitha protokollet e sigurisë dhe në bashkëpunim të ngushtë mes institucioneve përkatëse.

Advertisement