Aktualitet
3 milion € dëm shtetit! Arrestohet 19-vjeçari, ja roli i tij

Një 19-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë në Durrës, pasi ishte shpallur në kërkim disa muaj më parë. I riu ishte në kërkim për veprën penale “krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”. Ndaj edhe prangosja e tij u krye në kuadër të operacionit “Skema”, që u finalizua 6 muaj më parë.
NJOFTIMI I POLICISË:
Durrës
Në vijim të operacionit policor të koduar “Skema”, kapet 1 shtetas i shpallur në kërkim, i akuzuar për veprën penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”. Operacioni “Skema”, i zhvilluar 6 muaj më parë, identifikoi 7 shtetas, të cilët deklaronin të dhëna financiare fiktive të subjekteve që administronin apo ku ishin të punësuar, për të shmangur detyrimet tatimore. Kjo veprimtari kriminale dyshohet t’i ketë sjellë shtetit, rreth 3 milionë euro dëm ekonomik.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Durrës kapën dhe ndaluan shtetasin L. T., 19 vjeç, banues në Durrës, i cili ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Durrësit i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, në kuadër të operacionit të koduar “Skema”. Vijon puna për kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

