Connect with us

Shkrime

35 mjekë të arrestuar/ Bluzat e bardha apo jakat e bardha

Nga Lutfi Dervishi

Një kërkim i thjeshtë në google me dy fjalë: “mjek arrest” nxjerr se gjatë 10 viteve të fundit policia ka arrestuar të paktën 35 mjekë!

Operacionet të koduar me emra “Skaner”, “Bisturia”, “Bulza e Bardhë” dhe orë të tëra pune për të luftuar “korrupsionin” te “Bluzat e bardha”.

Kaq shumë mjekë të arrestuar nuk ka patur as procesi i famshëm i “Bluzave të bardha” që u akuzuan për vdekjen e Stalinit.

Akuzat me të cilët janë arrestuar mjekët janë korrupsioni dhe shpërdorimi i detyrës. Të dyja “nene” llastik që i tërheq sa të dojë drejtësia e rreptë, me mjekët dhe të pamundurit.

A është Shqipëria vendi më i korruptuar në Europë për shkak të ryshfetit që marrin mjekët (pothuaj në të gjitha rastet një proces i nisur nga pacienti apo familjarët?” A është ryshfeti i mjekëve problemi madhor ku duhet të përqëndrohen burimet e policisë, prokurorisë dhe gjykatës? A janë mjekët e keqja e këtij vendi? A marrin mjekët një pagë me të cilën sot mund të jetojnë?

Vetë komuniteti mjekëve duhet të alarmohet si për fenomenin e ryshfetit dhe abuzimit të mjekut ashtu edhe për lehtësinë me të cilën mjekët përfundojnë në pranga.

Lehtësia me të cilën u vihen prangat mjekëve është në kontrast të fortë me hezitimin për të hetuar dhe arrestuar zyrtarë të lartë apo edhe me dëshirën e oficerëve të policisë për të shoqëruar njerëz të krimit apo për t’u bërë ortak në krim.

Duket se mes krimit të “jakave të bardha” dhe ryshfetit të “bluzave të bardha”, policia dhe drejtësia ka zgjedhur si shënjestër mjekët. Aferim! Nuk ka si shpjegohet ndryshe përdorimi i metodave speciale për të “peshkuar” mjekët, infermierët dhe sanitarët.

Infiltrimi është metodë speciale hetimore që nuk mund të përdoret për çdo krim. Përdoret për krimin e organizuar, për trafikun ndërkombëtar të drogës (të drogave të forta), për vrasjet me karakter mafioz, për korrupsionin e përmasave të medha dhe në dëm të parasë publike, për pastrim parash etj.

Të thuash që është përdorur një “agjent i infiltruar” që ka ofruar 20 mijë lekë ryshfet tingëllon pak si shaka pa kripë.

Nëse policia është e fiksuar te shëndetësia agjentët e infiltruar mund të përdoreshin shumë mirë për te tenderat e ilaçeve, te tendarat e aparaturave mjekësore, te tenderat e kiteve kirurgjikale, te tenderat e ushqimit spitalor, te tenderat e ndertimit apo meremetimit të spitaleve, te tenderat e shërbimeve të lavanderisë, te tenderat e shërbimit sanitar etj, etj.

Të merresh me mitmarrje dhe të pretendosh se ke luftuar korrupsionin është njëlloj si të ngatërrosh macen me luanin. A ka njeri që maces i thotë luan dhe luanit mace? Mesa duket paska.

Lista e arrestimit të mjekëve:

Tetor 2013: Arrestohen dy mjekë në Korçë, akuza ryshfet. Shuma 20 mijë lekë. Ministria e Shëndetësisë mbështet operacionin dhe premton se “lufta kundër korrupsionit do të thellohet edhe më tej”

Dhjetor 2013: Operacioni “Skaner 2013” arrestohet kirurgu shuma: 15 mijë lekë. Policia kryen arrestin pas një hetimi 1 mujor.

Shkurt 2014. Arrestohet mjeku në Vlorë. Operacioni “Bluzat e Pastra”. Akuza ryshfet. Shuma 50 mijë lekë.

Tetor 2014. Berat. Arrestohet mjeku. Akuza: “ngacmim seksual pacientes.

Qershor 2014. Policia arreston 3 mjekë të spitalit Hygea. Akuza: mjekim i pakujdesshëm.

Shkurt 2015. Arrestohen dy mjekë te Shefqet Ndroqi. Akuza: merrnin nga 1 mije në 6 mijë lekë!

Shtator 2015. Arrestohet mjeku në Gjirokastër. Akuza korrupsion pasiv. Shuma 20 mijë lekë.

Shtator 2016. Arrestohen dy mjekë në martenitet. Akuza: mjekim i gabuar

Nëntor 2016. Arrestohet mjeku në Shkodër. Akuza: shpërdorim detyre, falsifikim kartele pacientit.

Shtator 2018, arrestohet kardiologu dhe disa mjekë në Shkodër. (7 mjekë dhe infermierë) Akuza: shpenzime më shumë se nevoja.

Shtator 2018. Arrestohet ish drejtori spitalit, Berat. Akuza: shpërdorim detyre

Shkurt 2019. Arrestohet neo psikiatri. Akuza: korrupsion pasiv. Shuma 30 mijë lekë.

Prill 2019, arrestohen dy mjekë në Elbasan. Akzua: braktisje detyrës!

Qershor 2020: Arrestohen dy mjekë. Akuza: mjekim i një të kërkuari.

Qershor 2021. Arrestohet mjeku kirurg dhe anestezisti. Operacioni “Bisturia”. Shuma e sekuestruar si ryshfet. 37 mijë lelë dhe 55 euro.

Shkurt 2021. SPAK, arreston mjekun e njohur. Akuza: mitmarrje

Mars 2021. GjKKO vendim për arrest me burgun për mjekun. Akuza: merrte para për të nxjerrë më shpejt testin anticovid.

Gusht 2022. Arrestohet mjeku në Dibër. Akuza: nuk referon mjekimin e një pacienteje.

Shtator 2022. Arrestohen dy mjekë. Operacioni “Skaner”

Advertisement