Connect with us

Aktualitet

5 Maji në flakë/ 50 subjekte të djegura, 72 efektivë dhe 13 mjete të shërbimit zjarrfikës vijojnë punën për fikjen

Flakë masive kanë përfshirë këtë mbrëmje 2 kapanone me rroba dhe mallra të ndryshëm në tregun e ndodhur në rrugën dhe lagjen 5 Maji në Tiranë. Për shkak se kapanoni ku nisën flakët e para kishte në brendësi materiale tekstile dhe lehtësisht të ndezshme, zjarri është përhapur me shpejtësi, duke kaluar edhe në një kapanon të dytë, ndërsa i pari është shkrumbuar. Dëme kolosale hamendësohet të jenë shkaktuar nga zjarri i madh, i cili tashmë është drejt fikjes, ndërkohë që dihet se të paktën 50 subjekte që ushtronin veprimtari tregtare në kapanonin ku nisën flakët, janë djegur plotësisht. Por, fatmirësisht nuk raportohet për njerëz të lënduar.

NTv mëson se mbi 60 forca dhe 11 mjete të shërbimit zjarrfikës po operojnë në vendngjarje për shuarjen e flakëve të ndezura prej afro 4 orësh. Për shkak të situatës së vështirë, në ndihmë të atyre të zjarrfikësve të kryeqytetit mbërritën edhe forca të bashkive Vorë, Kamëz dhe Elbasan.
Gjithashtu, për shuarjen e flakëve, në vendngjarje kanë mbërritur nga ushtria 2 zjarrfikëse dhe 12 efektivë nga Komanda e Forcës Tokësore, ndërsa të pranishëm janë edhe efektivë të shumtë të Policisë së Shtetit, të cilët evakuuar përkohësisht banorë të zonës përreth, pasi dyshohej që brenda kapanonit të përpirë nga flakët ndodheshin disa bombola gazi.
Si shkak i flakëve masive dyshohet të ketë qenë një defekt në rrjetin e energjisë elektrike, ndërsa kreu i Shërbimit Zjarrfikës në Tiranë, Shkëlqim Goxhaj, shprehet i bindur se nuk ka indicie që zjarri të ketë qenë i qëllimshëm.
Kryetarja e deleguar e Bashkisë Tiranë, Anuela Ristani, në një intervistë nga vendngjarja për NTv deklaroi se tashmë zjarri është nën kontrollin e plotë të forcave të shumta zjarrfikëse, dhe se po avancohet në punën për shuarjen e plotë.
Gjithashtu, Ristani theksoi se është eliminuar totalisht rreziku që i kanosej banesave dhe biznesve të tjera pranë vatrës masive të zjarrit.
Edhe ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, ka mbërritur në tregun e lagjes 5 Maji.
Shtetari i parë që reagoi për ngjarjen ishte kreu i grupit parlamenar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili në rrjetet sociale ndau disa pamje nga aksioni i zjarrfikësve, video të cilën e fshiu më pas.

 

Advertisement