Kosova
5 marsi, afati i fundit për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) pritet t’i publikojë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit më së largu më 5 mars.
Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, në një konferencë për media.
“KQZ-ja është brenda planifikimeve që ka bërë më herët, sipas planit të aktiviteteve të miratuar në gusht të vitit të kaluar, menjëherë pas shpalljes së zgjedhjeve. Sipas këtij plani, shpallja e rezultateve përfundimtare për subjektet politike është parashikuar të bëhet më së largu më 5 mars 2025”, ka thënë Elezi para gazetarëve.
Ai ka theksuar se, në rast të paraqitjes së ankesave, ato duhet të shqyrtohen nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dhe Gjykata Supreme deri më 18 mars.
“Ndërkohë, pas përfundimit të ankesave eventuale dhe vendosjes për to nga PZAP dhe Gjykata Supreme, shpallja e rezultateve është planifikuar të bëhet më 18 mars. Ne po punojmë që shpallja e rezultateve përfundimtare të realizohet edhe para datës 5 mars”.

KQZ-ja pritet që gjatë kësaj jave të nisë numërimin e votave të diasporës, votave me kusht dhe atyre të personave me aftësi të kufizuara.
Të premten, KQZ-ja kishte njoftuar se ka përfunduar numërimi në Qendrat Komunale të Numërimit, proces ky i cili kishte nisur më 11 shkurt.
Bazuar në rezultatet preliminare të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 342 mijë e 281 vota apo 40.80 për qind, Partia Demokratike ka marrë 184 mijë e 811 apo 22.03 për qind, Lidhja Demokratike ka marrë 147 mijë e 888 apo 17.63 për qind dhe koalicioni AAK – Nisma ka marrë 62 mijë e 588 apo 7.46 për qind.
Në këto rezultatet s’janë përfshirë votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat e diasporës.

