Connect with us

Bota

60 milionë amerikanë goditen nga stuhia më e madhe dimërore

Më shumë se 60 milionë amerikanë janë paralajmëruar për një stuhi dimërore që pritet të sjellë reshjet më të mëdha të dëborës prej një dekade. Stuhia Blair, e nxitur nga një vorbull polare, ka sjellë temperatura të acarta në pjesën qendrore të SHBA-së.

30 shtete janë prekur dhe shtatë prej tyre kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Disa zona po përjetojnë borë, erëra të forta dhe stuhi me rrufe, ndërsa shtetet si Arkansas dhe Teksas janë në gjendje alarmi për tornadot.

Mijëra fluturime janë anuluar, shumë shkolla janë mbyllur dhe rrugët janë bllokuar. Ndër zonat më të prekura janë Kansas dhe Missouri, ku stuhia ka shkaktuar deri në 30 centimetra borë.

Ndërkohë, stuhia ka filluar të zbutet ndërsa lëviz drejt Bregut Lindor të SHBA-së. Të hënën në mëngjes pritet që Virxhinia, Merilendi, Uashington DC dhe Delaueri të përballen me motin e ashpër.

Vorbulla polare e ajrit tepër të ftohtë zakonisht rrotullohet përreth Polit të Veriut. Njerëzit në Shtetet e Bashkuara, Evropë dhe Azi e përjetojnë të ftohtin e tij intensiv kur rrymat e ajrit zhvendosen drejt jugut.

Studimet tregojnë se ngrohja e shpejtë në Arktik është pjesërisht shkaku për frekuencën në rritje të vorbullës polare që zgjeron ndikimin e saj të akullt.

Advertisement