Connect with us

Aktualitet

“Vjen era kërmë”/ Rexhepaj i vdekur prej 5 ditësh, i vëllai nuk tërheq dot trupin nga morgu i Sarandës

Familjarët e të ndjerit Isa Rexhepaj kërkojnë që sa më parë të mund të marrin trupin e tij për të kryer ceremoninë mortore. 65-vjeçari u gjet i vdekur në një kolibe 5 ditë pasi kishte humbur kontaktet me familjen. Trupi i tij u zbulua mëngjesin e së premtes nga vëllai, i cili njoftoi menjëherë policinë.

Ndërkohë, edhe pse është kërkuar një ekspertizë më e thelluar mjeko-ligjore në Tiranë, trupi nuk është lëvizur ende nga Saranda. Sipas familjarëve, kufoma ka nisur të dekompozohet për shkak të kohës së gjatë që ka kaluar pas vdekjes.

Vëllai i të ndjerit shprehet, për News24, se spitali i Sarandës ia kalon përgjegjësinë Policisë së Shtetit, ndërsa kjo e fundit ia vë gishtin Prokurorisë, e ndërsa prokuroria pretendon se përgjegjësia i takon policisë.

“Vajta e mora, kishte katër ditë i vdekur. Lajmërova policinë, erdhi ambulanca dhe e çuan në morg vëllanë. Prokuroria thotë do ta çojmë në Tiranë, por ai nuk mund të çohet se i ka rënë mishi, është nxirë, vjen era kërmë. Jam këtu para morgut, nuk më japin trupin e vëllait. Prokuroria thotë e ka Policia, Policia thotë e ka spitali, spitali thotë e ka Policia. Nuk di çfarë të bëj, unë dua të varros vëllain, t’i bëj adetet e fundit”, thotë vëllai i viktimës.

Advertisement