Politike
“7 lekë çmimi i energjisë…”/ Berisha premton: Programi ynë lehtëson barrën e qytetarëve

Kryetari i PD, Sali Berisha, renditi disa nga pikat e programit të PD që do të ndihmojnë qytetarin në ekonominë e tij familjare, sic janë pagesat e energjisë elektrike dhe karburanti.
Berisha theksoi gjatë takimit me mbështetësit e PD në degën nr.9 se çmimi i energjisë elektrike do të jetë 7 lekë për familjarët dhe 6 lek për biznesin.
Ndërsa, sipas tij, kush do të vendosë panele voltaike pas tre vitesh nuk do të kenë nevojë të paguajnë energjinë elektrike. Po ashtu dhe çmimi i karburantit, që sipas Berishës, do të jetë po aq sa në Kosovë.
“Shqipëria energjinë pa asnjë lloj humbjeje mund t’ja shesë qytetarëve me 7 lekë. Ne do e ulim në 7 lekë kilovatin. Ne do ta ulim për biznesin në 6 lekë energjinë. Shumë mund të thonë, po ç’na duhet ne nafta.
Nafta në Shqipëri shitet 40-50% më shtrenjtë se në Kosovë. Ndërkohë, nafta në Kosovë vjen nga Durrësi. Shkon nga Durrësi në Kosovë, atje shitet 40% më lirë. Pse? Ua them unë pse. Sepse taksa që merr qeveria në 1 litër naftë është absurde, merr 1.1 euro. Ndërsa, çdo njeri që blen 1 litër naftë, qeveria i ka grabitur 1.1 euro taksë. Jo, ne do t’i përgjysmojnë këto.
Se kush e paguan këtë? Qytetarët e paguajnë. Se ai që e shet, ai nuk paguan gjë. Ai përkundrazi, shet dhe kaq.
Kështu që ne, do i përgjysmojmë këto taksa dhe shqiptarët do blejnë naftën me ato çmime, plus minus 10% që e blejnë maqedonasit, kosovarët, malazezët, dhe absolutisht asnjë qindarkë më shumë. Do përpiqemi të lehtësojmë barrën mbi njerëzit.
Përveç kësaj, ne do të financojmë së bashku me banka, vendosjen e panele diellore.
Janë ulur tani. Nëse do ju thoja para 6 vitesh, 8 vitesh, do ishte joreale se kushtonin shumë panelet fotovoltaike. Tani është plotësisht e mundur. Tani, nëse vendosim me bankat panelet fotovoltaike mbi çdo çati, gjithnjë sipas dëshirës, pas 3 vitesh ata që kanë panelin fotovoltaik marrin energjinë falas, nuk paguajnë më asnjë qindarkë. E kanë nga dielli, e kanë nga qielli, jo nga qeveria. Sepse kjo është e vërteta”, tha Berisha.

