Kronike
71-vjeçari në Korçë neutralizohet nga RENEA, vihet në pranga
Pas afro dy orësh rezistencë Edmond Naska neutralizohet nga RENEA, duket në momentin e ndërhyrjes nuk ka reaguar për të kundërshtuar efektivët e speciales, gjë e cila shihet dhe nga një filmim ku agresori është me pranga në duar dhe po shoqërohet nga këta të fundit. Janë thyer xhamat e ballkonit, që ekipi i speciales të hyj në brendësi për të ndaluar 71-vjeçarin. Nuk raportohen probleme, aktualisht ai po shoqërohet në spital, për kontrolle, por nuk është i dëmtuar.
lajmi i plote
KORÇË-Të shtëna me armë zjarri ka pasur paraditen e sotme në Korçë. Autori i identifikuar si Edmond Naska ka qëlluar 3 herë me armë në lagjen nr.16 të qytetit. 71-vjeçari ka qëlluar nga ballkoni i banesës që ndodhet në katin e parë. Sipas raportimeve të para nuk ka njerëz të plagosur. Policia ka shkuar në vendngjarje për zbardhjen e rrethanave. Ata kanë rrethuar të gjithë zonën, ndërsa pritet të dorëzohet shtetasi.
Sot, rreth orës 10:20, në lagjen nr. 16, dyshohet se shtetasi E. N., 71 vjeç, me probleme mendore, ka qëlluar me armë zjarri nga ballkoni i banesës së tij (në katin e parë të një pallati).
Shërbimet e Policisë vendore kanë ndërhyrë menjëherë duke krijuar perimetrin e sigurisë dhe kanë evakuuar banorët e zonës.
Nga të shtënat nuk ka asnjë shtetas të lënduar.
Në drejtim të vendit të ngjarjes po shkojnë shërbimet e Repartit Special RENEA, për të ndërhyrë për neutralizimin e shtetasit Edmond Naska i cili ka mbyllur derën e banesës.
Ndërkohë, shërbimet e Policisë, me masa sigurie për jetën e tyre, po mbajnë të rrethuar banesën.
Aktualisht nuk ka asnjë rrezik për jetën e banorëve.
Lajmi në përditësim…