Shkrime
731, klithmë nga ekrani i madh që vjen si paralajmërim për tmerret e eksperimenteve mbi njerëzit

Nga Eljanos Kasaj*
Filmi kinez me motive të Luftës së Dytë Botërore(1939-1945), 731 ose “E keqja e palidhur/Evil Unbound”, është shfaqur plot bujë në kinoteatrot kineze në 94-vjetorin e përkujtimit të Incidentit të 18 shtatorit, kur Perandoria Japoneze filloi okupimin e territoreve të krahinës së Mançurisë, në Kinën verilindore, gjë që çoi në themelimin e shtetit të saj kukull të Mançukuo-së pesë muaj më vonë.
Ngjarjet në film janë vendosur në qytetin ruso-kinez të Harbin në vitin 1945 dhe në të ekspozohen mizoritë e Njësisë famëkeqe 731 të Japonisë, laboratorit sekret të kohës së luftës në Harbin që kryente eksperimente vdekjeprurëse njerëzore nën maskën e “parandalimit të epidemive”. Të burgosurit ngriheshin, disektoheshin të gjallë, helmoheshin me gaz dhe infektoheshin qëllimisht me murtajë dhe kolerë, ndërsa qytete të tëra kineze u shënjestruan me armë biologjike dhe kimike.
Në bazë të raporteve dhe listave që mbijetuan pas çlirimit të Mançurisë prej Ushtrisë së Kuqe të Bashkimit Sovjetik në Gusht të vitit 1945, është përllogaritur se rreth 200.000-300.000 njerëz kanë humbur jetën si pasojë e torturave ç’njerëzore ose eksperimenteve jo-humane, duke mos lënë asnjë të mbijetuar që mund të tregonte ose dëshmonte mbi atë se çfarë ka ndodhur brenda mureve të laburatorëve të Harbinit.
Gjatë procesit të produksionit të filmit, regjisori i njohur kinez Zhao Linshan kaloi më shumë se një dekadë duke studiuar materiale dhe dokumenta autentikë mbi krimet e kryera në laburatorët e Harbin, duke konsultuar arkiva të gjera historike, duke përfshirë 8,000 faqe raportesh të deklasifikuara të SHBA-së mbi Njësinë 731 dhe 423 orë dëshmi nga ish-anëtarë të njësisë.
Në ditën e permierës në Kinë, të ardhurat nga shitja e biletave tejkaluan 240 milionë juanë kinezë (rreth 33 milionë dollarë) dhe mbi 269.000 bileta, duke vendosur një rekord të ri si fitimet më të larta ditore në historinë e filmave kinezë në kontinent, gjithashtu dhe si performanca më e fortë e ditës së premierës ndonjëherë. Aktualisht, “731-E keqja e palidhur/Evil Unbound” përbën mbi 70% të orarit të shfaqjeve dhe 97% të të ardhurave shitja e biletave ,midis filmave të tjerë të publikuar në kinoteatrot kinezë.
*Fakulteti i Shkencave Politike. Universiteti i Wroclaw (Uniwersytet Wrocławski), Poloni

