Kronike
8 plumba drejt biznesmenit italian! Pranga autorit shqiptar dhe 7 të tjerëve, polici drejtonte trafikun e drogës
Tetë persona, përfshirë një oficer policie dhe një shtetas shqiptar, janë arrestuar në Itali për një sërë veprash penale, si trafikim droge, falsifikime, armëmbajtje pa leje, tentativë vrasjeje dhe komplot kriminal. Sipas hetimit të zhvilluar nga shteti fqinj, shqiptari identiteti i të cilit ende nuk bëhet i ditur është autori i dyshuar kryesor i tentativës së vrasjes së sipërmarrësit italian, Angelo Ferrandi më 1 mars 2024, në qytetin Montichiari (Brescia).
Viktima u qëllua me tetë plumba, nga të cilët gjashtë e goditën në këmbë, duar dhe bark, ndërsa shpëtoi vetëm pas një ndërhyrjeje të gjatë mjekësore. Hetuesit kanë zbuluar se i dyshuari shqiptar kishte lidhje direkte me një agjent të policisë bashkiake të Desenzano del Garda. Oficeri, i vënë në pranga gjatë aksionit, akuzohet se ishte organizatori kryesor i një rrjeti kriminal që merrej me trafik droge në bashkëpunim me një biznesmen nga Bergamo dhe shtetas marokenë.
Guardia di Finanza ka zbuluar, gjithashtu dy struktura të tjera kriminale, të përfshira në mashtrime tatimore dhe përdorimin e faturave për transaksione të rreme, me një vlerë që kalon 450 mijë euro. Edhe këtu rezulton i përfshirë i njëjti agjent i policisë, i cili vepronte si ndërmjetës për të siguruar dokumente fiskale të rreme në bashkëpunim me kompani të kontrolluara nga persona me precedentë penalë.