DOSSIER
‘Tradhëtia’ e kineastit francez në Shqipëri
Përmbysja e ngrehinës së madhe totalitare në Shqipëri do të linte pas, jo vetëm ndryshimin e sistemit, shoqëruar me plot shpresa, mirazhe e klithma lumturie por, fatkeqësisht, edhe mjaft plagë, drama, viktima, pluhur, mllefe e zhgënjime nga më të ndryshmet. Dhjetë vjet e më tepër pas asaj ngjarje, e cila tronditi thellë shoqërinë, duke përmbysur tërësisht shumë kode, rregulla e koncepte të mëparshme, njerëzit vazhdojnë endé t’i bëjnë vetes pyetje të tilla, si: Ç’kish ndodhur në të vërtetë në shoqërinë shqiptare, gjatë 50 vjetëve të fundit të diktaturës? Si qe e mundur që sistemi arriti të deformonte gjithçka? Përse njerëzit e kishin pranuar atë? Cila qe logjika totalitare e transformimit të shoqërisë e individit? Si qenë konceptuar e funksiononin strukturat e mekanizmave totalitare: propaganda, policia sekrete dhe ushtrimi i ideologjisë së terrorit? Si ndodhi që ndër mbarë vendet komuniste të Lindjes europiane, Shqipëria të cilësohej përjashtim apo rast i veçantë? Pse Enver Hoxha i qëndroi verbërisht, fanatikisht e gjer në fund besnik Stalinit, duke e kthyer vendin në një burg ku dhuna, frika e spastrimet vazhduan gjer në fund të viteve ’80-të? Pse vendi u izolua çmendurisht, duke i mbyllur njerëzit mes bunkerësh e telash me gjemba? Përse, pra, ndodhën gjithë fenomenet e mësipërme…?!
Libri ‘Post-scriptum për diktaturën’, s’pretendon t’u japë përgjigje definitive pyetjeve të mësipërme, apo kompleksitetit të arsyeve që sollën e mbajtën në fuqi pushtetin totalitar në Shqipëri. As edhe të jetë një afresk i plotë, i thellë e i gjithanshëm i jetës e vuajtjeve që përjetuan njerëzit gjatë atij sistemi. Autori i tij, ndofta, ka meritën që bashkë me shikimin retrospektiv të periudhës totalitare si dhe zellin e një analisti të pasionuar, është përpjekur të kthejë edhe një herë kokën mbrapa, për të dhenë jo vetëm kujtimet e opinionet e tij personale, por dhe për t’i u rikthyer dhe një herë vizionit të asaj epoke me filozofinë e thjeshtë të ruajtjes së Memories e mbështetjes së Apelit për të mos harruar kurrë maksimën e njohur, se…kadavrës vazhdojnë t’i rriten thonjtë e flokët edhe pas vdekjes! Dhjetë vjet e më shumë pas përmbysjes së madhe, libri në fjalë ka vlera aktuale e shpresojmë të vlerësohet nga lexuesi sepse, siç shprehet edhe një studiues shqiptar…e keqja më e madhe që mund t’i ndodhë një populli, vjen atëherë kur ai nuk arrin të bëjë analizën e së kaluarës së vet. Një popull amnezik është i detyruar të jetë vazhdimisht neuropatik e të përsërisë përvojat e tij të dhembshme…!
TRADHETIA E JEAN BERTOLINOS
Dy filozofët e shquar modernë të ideologjive totalitare, Hannah Arendt dhe George Orwell, në shumë vepra të tyre kanë analizuar, ndër të tjera, edhe mënyrat se si këto ideologji manipulojnë faktet e realitetin, si edhe për mundësitë e tyre të pafund për Falsifikimin e së Vërtetës. Një shembull tipik i falsifikimit të realitetit e së vërtetës në Shqipërinë staliniste ka qenë edhe propaganda e drejtuar për opinionin jashtë vendit.
Ajo, ashtu si edhe propaganda për brenda, kish trajtat e një makinerie të madhe e cila konsistonte në emisionet e pafund të Radio-Tiranës në dhjetëra gjuhë të huaja, buletinet e përditshme të ATSH-së, artikujt emfatikë e fotografitë tipike propagandistike të revistës Shqipëria e Re (organ i Komitetit Shqiptar të Marrëdhënieve me Botën e Jashtme), etj. Por, kjo nuk qe asgjë, po të kihet parasysh atë çka është bërë e harxhuar për botimin e shpërndarjen nëpër botë, të materialeve të Partisë e veprave të Enver Hoxhës, si edhe për mbështetjen e financimin e aktivizimin e dhjetëra e dhjetëra militantëve marksistë-leninistë që, të organizuar në grupe, shoqata e parti të vogla, propagandonin e mburrnin pa u lodhur sistemin ideologjik e realitetin shqiptar.
… Në radhët e militantëve, ithtarë e nostalgjikë të “fanarit ndriçues në Europë”, aso kohe bënte pjesë dhe Jean Bertolino, veprimtar i revoltave studentore të Majit ’68-të e, i grupeve marksiste-leniniste franceze. I ardhur për herë të parë në Shqipëri në vitin 1971, Jean Bertolino, ndër të tjera, u entuziazmua kur pa se çdo qytetar i saj, nëpërmjet fletë-rrufeve, mund të kritikonte pa frikë e hapur gjithë ndikimet e huaja e çdo sjellje kundër moralit komunist.
Pas tre muajsh, ai erdhi përsëri për xhirimin e një reportazhi televiziv. Duke përshkuar itinerarin e parapërgatitur qysh më parë nga autoritetet, kudo që shkoi, ai takoi e bisedoi me njerëz të bashkuar rreth një ideali të vetëm: ndërtimin e një shoqërie të re, të drejtë e të begatë. Djaloshi Bertolino, i ekzaltuar nga Edeni i marksizmit botëror, s’kërkoi të shihte e as të zbulonte më tej se ato çka i treguan shoqëruesit e tij.
Ai trajtoi subjektet e dëshiruara prej tyre e, në fund, dokumentari televiziv në fjalë, u cilësua prej Udhëheqjes mjaft realist e dashamirës. Kështu, me realizimin e atij filmi pozitiv, Jean Bertolino pat kaluar me sukses provën e parë të besimit. Kjo do të thosh ndryshe se, këtej e tutje, ai konsiderohej i mirëpritur e bënte pjesë në radhën e miqve të zgjedhur të Partisë…! Mbas 5 vjetësh, Jean Bertolino, morri përsëri pëlqimin dhe aprovimin për realizimin e një filmi tjetër dokumentar për Shqipërinë. (Asokohe, reportazhet e artikujt nga reporterë a gazetarë të huaj, ishin inegzistentë. Në ndonjë rast të veçantë, viston për hyrjen e ndonjë gazetari të rrallë perëndimor, e jepte vetë Enver Hoxha). Ndërkohë, prej vizitës së parë, kanë kaluar vite.
Në botëkuptimin e bindjet e Bertolinos, me sa dukej, kishin ndodhur ndryshime. Ai, nuk qe më djaloshi i dikurshëm i barrikadave të Quartier Latin, me kokën mbushur plot ëndrra utopike. Tashmë, ai kërkon t’i vëzhgojë e t’i gjykojë faktet e ngjarjet më qetësisht, duke pikësynuar të hyjë në thelbin e tyre e jo të ekzaltohet thjesht nga pamja e tyre e jashtme.
“Pas një mungese të gjatë, në vitin 1976 erdha përsëri në Tiranë” – tregon ai, në një shkrim të botuar shumë vite më vonë, në gazetën Le Monde – “Objektivi i udhëtimit qe përgatitja e një skenari për një film tjetër, të parashikuar për vitin në vijim. Për këtë, ndër të tjera, u kërkova shoqëruesve të mi që të kisha përsëri me vete, Edmond Tupen. Pra, të njëjtin përkthyes që pata pasur dhe radhën e parë. Kjo është e pa mundur, mu përgjigjën ata. Ai s’është më në Tiranë.
Pastaj, më shpjeguan se në vend po zbatohej një qarkullim i madh i kuadrove e, Edmondi, qe caktuar të punonte mësues në një fshat të Elbasanit. U shtanga nga habia. Si qe e mundur që, një profesor i aftë universiteti, të caktohej për të punuar në një shkollë fshati…? Por, çudia ime u bë edhe më e madhe kur, një ditë ndërsa kaluam me makinë pranë zonës ku e kishin çuar, me gjithë këmbënguljen time, ata që më shoqëronin më thanë se takimi me të s’mund të bëhej. Gjatë udhëtimit tim në Shqipëri, ndjeva se isha i rrethuar nga njerëz, të cilët gjithmonë mundoheshin të më fshihnin ‘diçka. E, ajo ‘diçka’, qe e pamundur të mos vihej re. Në mbarë vendin, kudo që hidhje sytë, shihje vetëm kantiere për ndërtimin e bunkerëve”.
I shoqëruar nga një kameraman dhe, i pajisur me vizat e çmuara të akorduara nga vetë Javer Malo, ambasadori shqiptar në Paris, ai u prit në Rinas nga funksionarë të Komitetit Shqiptar për Marrëdhënie me Botën e Jashtme. Këta të fundit, kishin marrë masat për gjithçka që kish të bënte me realizimin e filmit. Pra, miku nga Franca, s’kish pse të lodhej. Çdo gjë qe gati. Subjekti, skenari, njerëzit që do ta shoqëronin, vendet e xhirimit etj. Gjithçka. Mbetej vetëm që shoku Bertolino e kameramani i tij të vendosnin tripiedin e kamerës e mikrofonat, për të nisur nga puna. Për të filluar tregimin mbi fitoret e Shqipërisë, ndërtimin e socializmit, krijimin e njeriut të ri, punën e tij transformuese…!
Vërtet, qëllimi i Bertolinos qe realizimi i një dokumentari me karakter informativ, por në të njëjtën kohë ideja e tij ish gjithashtu që, në të çdo gjë të pasqyrohej sa më thjesht e besueshëm. Këtë kërkesë, ai e konsideronte të nevojshme e interesante, jo vetëm për vete por dhe për mbarë shikuesit francezë. Pra, kish vendosur të bënte diçka krejt ndryshe nga filmi i parë. Të hynte në brendësi të jetës. Të fliste për botën shpirtërore të njerëzve. Të tregonte si punonin e jetonin. Të njihte nga afër vështirësitë, luftën e përpjekjet në jetën e tyre të përditshme. Të hynte në shtëpitë e tyre. Të shihte ku jetonin, si e kalonin kohën e lirë etj.
Një vështrim i tillë i jetës, për autoritetet shqiptare qe jo vetëm i ekzagjeruar por edhe i panevojshëm. Porosia nga lart, qysh më parë, kish qenë e prerë: atij do t’i jepej aq sa duhej. Qe kjo arsyeja pse, kur shoqëruesit e Bertolinos, u njohën me pretendimet për realizimin e filmit, u vunë në siklet të madh. Ata nuk ishin aspak dakord me idenë dhe këndvështrimin se si ai e shihte subjektin e dokumentarit të tij të ardhshëm. Pse, thoshin ata, shoku Bertolino donte të futej aq thellë e të vriste mendjen aq shumë? Pse vallë t’i komplikonte gjërat? Në fund të fundit, pse të lodhej, ndërkohë që ata ia kishin përgatitur gjithçka, me kujdes e ashtu siç duhej?
Ndërkohë, Bertolino, këmbëngul në të tijën. Sipas tij, ai dëshiron të realizojë një film të vërtetë e të besueshëm për Shqipërinë. Pavarësisht se vendi është i varfër. Paçka se njerëzit janë veshur keq e fëmijët të dobët e rakitikë. Sipas mendimit të tij, ato gjëra për shikuesin francez s’ishin befasuese,sepse varfëria qe e pranishme kudo në botë. Për të, e rëndësishme ishte që ngjarjet të paraqiteshin me realizëm, të shpjegoheshin qartë e të tregoheshin ashtu siç ishin. Pa truke e zbukurime. Pa eufori. Lirshëm e pa paragjykime.
Por, për censorët e tij, ai vështrim i realitetit qe jo vetëm i papranueshëm, por edhe skandaloz. Në Shqipëri varfëria nuk ekziston absolutisht. Vendi jeton në bollëk. Njerëzit janë të lumtur. Këto dhe vetëm këto duhet të pasqyrohen në film! – këmbëngulin ata, në mënyrë kategorike…!
Bertolino zihet ngushtë. E kupton se duhet të bëjë lëshime, ndryshe projekti i tij do dështojë. Ai e njeh mirë kuptimin e fjalës së urtë shqiptare se, “murit nuk i bihet me kokë”. Përfundimisht, me keqardhje ai bindet e nis xhirimet, sipas skenarit të parapërgatitur e porosive të dhëna nga lart. Ky do të qe dhe fillimi i një aventurë me plot tensione, grindje, mosmarrëveshje e episode tragji-komike, të cilat për pasojë, do të luanin një rol të madh transformues, jo vetëm në konsideratat e tij rreth PPSH-së e socializmit shqiptar, por edhe në vetë botëkuptimin e idetë e tij të majta.
“Një ditë – tregon Jean Bertolino – do të xhironim daljen e punëtorëve nga puna në uzinën ‘Petro Papi’ në Korçë. Ishim gati për të nisur xhirimet, kur një nga shoqëruesit tanë, Vehbiu, siç kish ndodhur edhe herë të tjera, doli para kamerës duke ngritur duart lart: Stoponi, stoponi kamerën! – urdhëroi ai i shqetësuar. Pse? Ç’ka ndodhur? – pyeta i nevrikosur.
Vehbiu, bëri një grimasë e më tregoi me gisht një karrocë të tërhequr nga dy kuaj, e cila po vinte drejt sheshit para uzinës.
E, çka për t’u alarmuar, këtu? – ndërhyra – Në se, në Shqipëri ka karroca me kuaj, s’ka asgjë të keqe. Pse duhet fshehur ? S’duhet të keni komplekse për të tilla pamje. S’ja vlen…! Fjalët dhe toni që përdora, nuk i pëlqyen fare shoqëruesit tjetër, Mistos. I nxehur, ai ndërhyri, duke thënë: Gaboheni!… Ne nuk kemi komplekse, shoku Bertolino! Por, ajo karrocë nuk është parashikuar të ndodhet në këtë skenë. Ajo është jashtë programit. Në qoftë se ju doni ta filmoni atë, duhet ta kishit bërë më përpara kërkesën.
I demoralizuar hoqa dorë dhe iu përgjigja i dëshpëruar: Dakord! Atëherë boshatiseni krejt vendin, e kështu ne mund të filmojmë vetëm punëtorët që hipin në autobus, në një shesh krejt të shkretë. Por sugjerimi im nuk i kënaqi shoqëruesit të cilët kërkuan ta shtynin për më vonë xhirimin e asaj skene. Po, pse, për ç’ arsye? – pyeta i habitur. Sepse autobusi i punëtorëve nuk është në rregull. Është i pa larë…! Në fakt, autobusi qe i pluhurosur, por ashtu ishin të gjithë autobusët që kisha parë gjer atëherë në Shqipëri.
Një ditë tjetër, sipas skenarit, duhej të filmonim një dialog midis dy punëtorëve të cilët qenë dhe personazhet kryesore të dokumentarit tonë. Skena zhvillohej pikërisht para shkallës së pallatit ku ata banonin. Para se të fillonim xhirimet, shoqëruesi ynë, Vehbiu, u muar me largimin e gjithë fëmijëve që loznin para pallatit. Ne fakt, ata ishin fëmijë normalë, as të pastër e as të pistë. Çuna e goca, si kudo nëpër qytezat punëtore: të qeshur, çamarrokë e që i jepnin gjallëri dekorit. Për pak minuta, pas britmash e kërcënimesh, sheshi u ” pastrua” e mbeti i heshtur e i shkretë. Tani jemi në rregull. Mund të filloni… – shfryu Vehbiu, duke marrë frymë thellë e me kënaqësi. Jeni gati? – pyeta punëtorët. Gati jemi! – u përgjigjën ata. Qetësi! Motor…!
Pesëmbëdhjetë sekondat e para të xhirimit kaluan pa ndonjë incident, por më pas si gjithmonë, Vehbiu doli përsëri para kamerës duke venë dorën mbi objektiv. Ç’kish ndodhur? Një shitës ambulant akulloresh, kish dalë papritur nga rruga përbri e pat hyrë në ‘kuadër’ duke tundur një zile e duke thirrur: Akullore! Hajde, akullore…!
Vehbiu, i çakërdisur vrapoi drejt tij, duke bërtitur: Stop… Stop… Ku vete ti, more…? E po, ky qe kulmi…! Nuk e mbajta dot veten. E humba kontrollin e nisa të bërtas me sa zë që kisha. Banorët e pallatit dolën nëpër ballkone, kureshtarë për të parë ç’po ndodhte. S’ e kuptoj fare sjelljen tuaj! – mërmëriti pranë meje, tepër i shqetësuar, Mistoja.
– Përse ju, shoku Bertolino, jeni kaq shumë i interesuar të filmoni fëmijë të palarë e shitës ambulantë akulloresh…? Epo, në fund të fundit, – ia përplasa unë i skuqur nga inati – ç’ të keqe ka këtu? Këta fëmijë janë si gjithë fëmijët e botës, as më të mirë e as më te këqij. E, përveç kësaj, shitës të tillë ambulantë akulloresh, kemi edhe ne në Francë.
Atëherë, Mistoja gjeti rastin, të më këshillojë me ironi: Pikërisht këtu e kam fjalën! Ju, nuk duhet të filmoni gjëra që ka dhe tek ju. Filmoni më mirë ato gjëra që ju nuk i keni…! Ju e dini shumë mirë ç’po ndodh – ia ktheva sikur nuk kuptova gjë – Sa herë që dua të filmoj pamje të cilat janë ndryshe nga tek ne, ju nxitoni të më ndaloni me lloj-lloj mënyrash.
Tamam! Ashtu është! – aprovoi Mistoja – E, këtë e bëjmë sepse e shohim që ju jeni i interesuar vetëm për gjëra të cilat i përkasin të prapambeturës e së kaluarës. Pse vallë, ju, shoku Bertolino, e shikoni Shqipërinë me këtë këndvështrim? Pse nuk shikoni drejt së ardhmes…?
Më kish ardhur në majë të hundës e, për një çast, mendova të lija gjithçka në mes e ti hipja avionit për t’u kthyer në Paris. Marrëdhëniet me shoqëruesit e mi – vazhdon tregimin e tij, Jean Bertolino – kalonin sipas rastit, herë ditë me diell, e herë të tjera, me qiell të errët e plot shkreptima rrufesh.
Mbrëmjeve apo drekave e darkave, shpesh herë bisedat dilnin jashtë temës së punës, e deri diku arrinte edhe të mirëkuptoheshim. Ndërsa, gjatë xhirimeve, tensioni mes nesh qe vazhdimisht në kulm e, unë urreja pozicionin e tyre të censorit të pamëshirshëm. Këto marrëdhënie, të cilat po bëheshin gjithmonë e më të gënjeshtërta e të pa sinqerta, më vunë jo vetëm në mendime, por edhe më tronditën thellë në shpirt. Miqësia jonë e dikurshme, po kthehej në mosmarrëveshje e kontradikta.
Shoqëruesit e mi, me kokëfortësinë e tyre të verbër nuk arritën të kuptonin kurrë se, qëllimi im ishte të realizoja një film sa më të besueshëm për Shqipërinë. Jo një film kritik, apo më keq akoma, një film qesharak. Në atë kohë, (e këtë nuk kam pse ta fsheh), e shihja me entuziazëm përvojën e Shqipërisë e për të ushqeja iluzione. Por, megjithatë, prirja ime ishte që ta paraqisja realitetin ashtu siç qe. Që, ajo çka do realizoja, ta pasqyronte sa më besueshëm atë vend.
Mua, nuk më mungonin mundësitë që po të doja, me pamjet e xhiruara të bëja truke e të paraqisja një Shqipëri sa më ‘pozitive’ e pa asnjë anë negative. Por, vetë shoqëruesit e mi, Mistoja e të tjerët, më shtrëngonin të filmoja vetëm ato gjëra që ata donin e që ishin të programuara. Ata harronin se, duke vepruar në atë mënyrë, i bënin dëm vendit të tyre duke u kthyer edhe vetë në njerëz groteskë.
Në fund të ‘aventurës’ sime në Shqipëri, kisha kuptuar përfundimisht se, idetë e mënyra si kisha kërkuar të realizoja filmin në fjalë, kishin ngjallur jo vetëm kundërshtime, por kishin bërë që të konsiderohesha edhe njeri i dyshimtë. Në fakt, këtë e kuptova pak nga pak, me kalimin e kohës. E kjo, për mua ish diçka mjaft e mirë, sepse, përfundimisht më hapi sytë. Në qoftë se, drejtuesit partiakë do të kishin treguar besim ndaj meje, ndofta, unë do ta kisha vazhduar endé ” këngën” time naive e entuziaste.
Por, qenë pikërisht ‘miqtë’ e mi, ata, të cilët, të pa përmbajtur për ta paraqitur sa më të përkryer gjendjen në vend, më benë ta shoh në sy të vërtetën e cila gjer atëherë, për mua qe fshehur…
Filmi i Bertolinos për Shqipërinë, i transmetuar nga televizioni zyrtar francez, shkaktoi tërbim dhe urrejtje të thellë në radhët e udhëheqjes shqiptare. Ai u cilësua falsifikim dhe nxirrje e qëllimtë e realitetit socialist, provokim ndaj jetës e punës së një populli heroik. Pas kësaj, natyrisht, Bertolino u cilësua tradhtar, armik e agjent i borgjezisë perëndimore dhe, natyrisht, iu ndalua një herë e përgjithmonë hyrja në Shqipëri./Memorie.al