Connect with us

Aktualitet

Studentët në Komisionin e Edukimit: Shumë prej nesh po ndërrojnë degën

Studentët e Universitetit të Mjekësisë kanë marrë pjesë në mbledhjen e Komisionit të Edukimit, për t’iu bërë thirrje ligjvënësve që të mos e votojnë të enjten projekt/ligjin që detyron studentët të punojnë deri në 5 vite në Shqipëri, dhe më pas të pajisjen me diploma.

Të shqetësuar ata kanë theksuar se një pjesë e konsiderueshme e kolegëve të tyre kanë marrë masa për të shmangur vendimin e qeverisë, duke u transferuar që tani në universitetet private, me qëllim që të mos iu bllokohet diploma. “E trishtë është se ka dhe nga ata studentë që po shohin mundësinë për të ndërruar dhe degë”, u shprehën studentët.

Të vendosur në rolin e avokatëve përballë deputetëve, studentët kundërshtojnë miratimin e projektligjit që bllokon diplomat, duke renditur nene të kushtetutës, ata argumentojnë se ky projektligj shkel liritë dhe të drejtat e njeriut. Ata e cilësuan këtë metodikë të qeverisë si diktatoriale, duke e kthyer sipas tyre sistemin shëndetësor në një burg.

“Janë specialist ata që e kanë hartuar ligjin? Nëse hartuesit e projekt/ligjit, me materialet që na sollën në fillim hasën në kundërshtime, po të ishin aq specialist minimalisht do të kishin sjellë transparencë në dokumenta. Do të kishin sjellë fakte ku bazoheshin për këto kosto, për këto tarifa, që kanë shkelur. Ne këtu sot, përmes kolegut, treguam nen për nen se ku shkelen të drejtat tona, ku është në shkelje ky projekt/ligj. Po të ishin kaq specialist hartuesit e projekt/ligjit, më besoni se ne nuk do të kishim dalë me 4 fleta të hartuara me aq nene që tregojnë se sa diskriminues dhe antikushtetues është vendimi. Është një politikë afatshkurtër dhe eksperimentale ku na trajtojnë kështu jo vetëm ne si mjek, që pas 4 vitesh do të jemi të diplomuar me diploma peng, por trajton si kavie edhe pacientët shqiptarë. Vetë shqiptarët që do t’i drejtohen sistemit mjekësor”- tha një nga studentet e mjekësisë.

Të akuzuar për politizimin e gjendjes, studentët sqaruan se gjithçka po bëjnë është diskutimi i këtij vendimi të padrejtë, për të parandaluar shkatërrimin e sistemit arsimor. Megjithëse të vetëdijshëm që projekt/ligji do të miratohet për çështje politike në parlament, studentët të dëshpëruar, apeluan edhe njëherë të fundit për reflektim nga ana e deputetëve, duke iu kërkuar përfaqësuesve të popullit që të mos e përdornin votën e tyre kundër studentëve.

“Ne tani po ngrem zërin, por jemi të vetëdijshëm se ju nuk do të na dëgjoni. Unë e di që ky ligj do të miratohet të enjten në parlament. Por ne vijmë këtu që t’iu lutemi të paktën që njëri nga ju, dy nga ju, tre nga ju, të gjeni arsyen brenda vetes të cilën me keqardhje të madhe iu them ngushëllime sepse u ka vdekur. Unë ju kam dëgjuar nëpër komisione fjalimet tuaja, mënyrën se si i përkrahni ligjin në fund ose edhe kur e kundërshtoni në thelb, por në fund thoni: – Shikoni se unë do e votoj.

Unë thellë, thellë e di se ju keni një pikë arsye, edhe pse nuk e ndjejë në sipërfaqe. Dhe ne ndodhemi këtu sot për t’iu lutur që të mos e përdorni votën tuaj kundër nesh. Ju lutem, ju ftoj të reflektoni”- tha një prej studentëve.

Një prej studentëve vuri në dukje urgjencën në miratimin e projekt/ligjit, pa konsideruar shqetësimet e shprehura nga ky grup interesi, megjithëse nuk ndodhemi në situatë emergjente. Ndërsa një tjetër, absurdin e dhënies së shërbimit qytetarëve, pa u pajisur me diplomë.

“Ju bëni një sjellje kolektive dhe kërkoni qasje individuale nga ana jonë kundër këtij ligji. Unë akoma nuk e kuptoj se çfarë do të sjellë puna e detyruar dhe mbajtja e diplomës. Për mua është shumë absurde sepse si të punojë unë si mjek pa një diplomë mjeku. Unë që të quhem Mikel Seferi më duhet një mjet identifikimi. Që të drejtoj makinën, më duhet patenta. Si mund të jap shërbimin qytetarit si mjek kur ju më mbani diplomën”- tha studenti.

Zino Velshnja, një tjetër student i vitit të tretë të Mjekësisë së Përgjithshme ka theksuar se projekt/ligji është antikushtetues pasi bie në kundërshti me ligjin e arsimit të lartë.

“Ky ligj ka kundërshti me ligjin për arsimin e lartë. Kur u hartua ligji për arsimin e lartë, ky që ekziston sot, ideja kryesore ishte autonomia universitare, pra autonomi financiare, autonomi administrative. Me këtë projektligj po shkelen të dyja. Pse?

Sepse po supozojmë që vendosja e tarifës së barabartë me koston është e drejtë. Ndërkohë që universitetet publike marrin fonde si nga buxheti i shtetit, si fonde që i prodhojnë vetë nga tarifat e shërbimeve, por edhe fonde nga donatorët privat. Po nëse një ditë të bukur UT vendos të marrë pjesë në konferenca ndërkombëtare dhe të marrë fonde nga donatorët për të mbuluar 100% të kostove të studimit për të gjithë studentët, pa marrë fonde nga buxheti i shtetit? Si i bie tani, universiteti po kthehet në organizatë fitimprurëse apo biznes privat?

Dhe e dyta, po minohet autonomia administrative”- tha Velshnja.

“Në cilin universitet publik, tarifa e studimeve është e barabartë me koston. Pse ne diferencohemi në trajtim me një projektligj të pallogjikshëm që thotë se do paguash sa është kostoja në një universtitet publik, në krahasim me të gjithë universitetet e tjera publike? Nëse qëndrojmë pak tek kostoja. Për të kuptuar pak seriozitetin e gjësë, kostoja e përafërt thotë rektori i universitetit të Mjekësisë është diku tek 3 mijë euro. Ndërkohë si në relacionin e Këshillit të Ministrave, si nga zonja zv.ministre në mbledhjen e fundit të Komisionit të Shëndetësisë është thënë qartë që kostoja është 678 mijë lekë, ose diku tek 650 euro për student në vit. Tani këtu ose gënjen rektori publikisht, ose një nga palët është duke bërë falsifikim dokumentash”- përmbylli Veleshnja.

Studentët e Fakultetit të Mjekësisë do të vendosen përballë dy zgjedhjeve, ose të lidhin kontratë me shtetin për të dhënë kontributin në vendin e tyre ose të paguajnë deri në 14 fishin e tarifës aktuale.

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik ka miratuar me 9 vota pro, 7 kundër dhe 1 abstenim, projekt/ligjin për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e studimit “Mjekësi e Përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë, dhe tashmë pritet votimi i tij në parlament.

Pas konsultimit tre javorsh në komisionet parlamentare të Edukimit dhe të Ligjeve, pritet që në seancen e 20 korrikut, të fundit për këtë legjislaturë, të miratohet drafti për studentët e mjekësisë që i detyron ata të qëndrojnë në Shqipëri deri në 5 vite pas diplomimit. Ky është kusht i detyrueshëm për studentët që regjistrohen për herë të parë në Fakultetin e Mjekësisë vitin e ri akademik, ndërsa për studentet e viteve të dyta deri në të gjashta, detyrimi për të punuar është deri në 3 vite, ose mund të zgjedhin të paguajnë tarifën e studimit 13-14 herë më shumë nëse kundërshtojnë mbajtjen e diplomës pas përfundimit të shkollimit.

Advertisement