Shkrime
Një tjetër ‘specialist’ amerikan për Ballkanin/ Çfarë sjell emërimi i James O’Brien?
Një tjetër ish-anëtar i administratës së Bill Klintonit do të “rikthehet” së shpejti në Ballkan, pasi është pothuajse e sigurt se James O’Brien do të emërohet ndihmës sekretar i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike. Por shumë analistë nuk besojnë se politika e Uashingtonit do të ndryshojë në mënyrë drastike në raport me Beogradin dhe Prishtinën, ndonëse, siç thonë ata, SHBA-ja mund të “ushtrojë më shumë presion mbi Serbinë dhe Kosovën” në periudhën e ardhshme. Për sa i përket politikës amerikane në rajonin e Ballkanit, është një proces thellësisht kompleks dhe nuk mund të ndryshojë, përveç nëse vetë Shtëpia e Bardhë jep udhëzime për një gjë të tillë. James O’Brien vjen në pozitën e Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike dhe Rajoni ynë është vetëm një pjesë e vogël e gjithëkësaj Analisti Blerim Burjani thotë se gjërat nuk po shkojnë ashtu siç planifikojnë BE-ja dhe SHBA-ja, duke qenë se marrëveshja e Ohrit nuk respektohet nga të dyja palët në dialog dhe emërimi i O’Brien mund të nënkuptojë se është e nevojshme të ndryshohet imazhi i dialogut siç është tani dhe se SHBA-të do të jenë më të rrepta ndaj palëve, veçanërisht ndaj Serbisë, e cila gjithmonë përmend krizën, luftën dhe konfliktin. Sipas tij, me Kosovën është shumë më e lehtë, sepse do të pajtohet me një lloj Asociacioni të Komunave me Shumicë Serbe dhe ky do të jetë fundi i presionit mbi Kosovën. Diplomati serb Zoran Milivojeviç thotë se është e qartë se Perëndimi dëshiron të përshpejtojë dinamikën e zgjidhjes së çështjeve në rajon. Ai pret që Serbia tani të jetë nën presion edhe më të madh, sepse siç thotë, politika amerikane do të vazhdojë në konceptin e saj për zgjidhjen sa më të shpejtë të të gjitha çështjeve të pazgjidhura. Nga ana tjetër, Aleksandër Popov, drejtor i Qendrës për Rajonalizëm, pret që O’Brien, si autoritet më i fortë se Eskobari, ta ndryshojë situatën në Kosovë. “Tani pyetja është nëse, si në vitet nëntëdhjetë kur Richard Holbrooke luajti rolin më të madh, ai do të ndërmarrë veprime më energjike dhe do të jetë më në terren në diskutimet me përfaqësuesit e të dyja palëve. Është e nevojshme t’i tregohet më konkretisht Beogradit dhe Prishtinës se me çfarë pasojash do të përballen nëse nuk respektojnë marrëveshjen. Kjo është mënyra e vetme për të pritur disa rezultate sa i përket zgjidhjes së çështjes së Kosovës” – theksoi Aleksandër Popov