Kosova
Vrasja e efektivit/ Deklarata e fortë e Sveçlës: Radojiçiç i lidhur me grupin terrorist serb
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se autoritetet kanë gjetur harta dhe plane për sulmin ndaj Policisë së Kosovës në veri më 24 shtator. Ai argumentoi se sulmi nuk ishte ad-hoc, por ishte planifikuar për muaj të tërë. Këto deklarata ministri Sveçla i bërë gjatë një konference për media të hënën.
Sipas tij, në bazë të dokumenteve, nënkryetari i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë, që ka mbështetjen e Beogradit – Millan Radoiçiq, është i lidhur me sulmin.
“Në këto materiale, po ashtu kemi gjetur edhe dokumente të kriminelit që, po ashtu, është në listën e zezë të SHBA-së, Millan Radoiçiq, dokumente këto që dëshmojnë lidhjen apo pjesëmarrjen e tij të drejtpërdrejtë në këtë aksion. Kjo është lista e armëve apo lejeve të institucioneve të Serbisë dhënë Millan Radoiçiqit ku është edhe lista me armët që ai posedon, me numra, me të gjitha që janë gjetur në veturën e parë në radhë atje dhe patjetër që dokumenti origjinal është në dorën e forenzikës”, tha Sveçla gjatë konferencës për media, ku policia ekspozoi armët dhe pajisjet që ka gjetur në vendin e ngjarjes.
Sipas tij, në bazë të armëve që kanë gjetur, besohet se ka pasur plan që në sulm të përfshiheshin “qindra persona për destabilizimin e vendit tonë”.
Sveçla tha se, sipas informatave të deritashme, “gjashtë terroristë po trajtohen në spitalin e Novi Pazarit [qytet në Serbi]”, ndërsa i bëri thirrje Serbisë që t’ia dorëzojë Kosovës. Ai tha se përveç tyre, edhe pjesëtarë të tjerë të grupit që mund të kenë ikur për në Serbi, duhet t’i dorëzohen Kosovës që të përballen me drejtësinë.
Ai tha se në bazë të informatave, disa nga pjesëtarët e grupit që sulmuan policinë ishin pjesëtarë të “Brigadës së Veriut” dhe “Mbrojtjes Civile”, që Kosova i ka shpallur si organizata terroriste më herët gjatë vitit.
Ndërkaq, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se në një makinë Mercedes, me targa të Beogradit, është gjetur një leje për armë në emër të Radoiçiqit.
“Dokumenti është i lëshuar nga autoritete serbe, duke ngritur dyshimin e fuqishëm që në mesin e persona të armatosur dhe uniformuar edhe vetë Millan Radoiçiq”, tha Hoxha.
“Ky grup terrorist dyshohet se është organizuar nga Millan Radoiçiq, njeri i afërt me presidentin [e Serbisë] Aleksandar Vuçiq. Grupi terrorist në sigurimin e armëve dhe mjeteve logjistike, përfshirë edhe hyrjen në Kosovë me mbi 26 mjete motorike dyshohet të jetë përkrahur dhe mbështetur në mënyrë aktive nga Qeveria e Serbisë”, theksoi ai.
Hoxha tha se në dhe përreth manastirit në Banjskë janë gjetur armatim i kalibrave të ndryshëm, raketahedhës, eksplozivë e detonatorë.
Hoxha tha se disa prej këtyre armëve ishin përdorur edhe në sulmet në të kaluarën, siç tha ai, nga “Mbrojtja Civile”.
Drejtori i Policisë së Kosovës tha se në bazë të dokumenteve të gjetura, pesë prej të cilëve i përkisnin “Mbrojtjes Civile”.
Autoritetet e sigurisë thanë se grupi ishte profesional dhe i përgatitur mirë.
Çfarë ndodhi në Banjskë?
Në orët e hershme të së dielës, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i personave të maskuar dhe armatosur, pasi autoritetet e rendit tentuan të largonin barrikadat e vendosura në Banjskë të Zveçanit.
Si pasojë e përleshjeve, zyrtari policor, Afrim Bunjaku, u vra dhe disa të tjerë u plagosën.
Grupi i armatosur më pas u strehua në manastirin e Banjskës prej nga u përlesh me Policinë e Kosovës.
Autoritetet thanë se tre sulmues u vranë, ndërkaq më 25 shtator u raportua se është gjetur trupi i pajetë edhe një sulmuesi tjetër të dyshuar. Ndërkaq, gjashtë persona, që dyshohet se janë të lidhur me grupin e armatosur, janë arrestuar.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka përshkuar sulmuesit e armatosur si “një njësi e organizuar profesionale, që ka ardhur për të luftuar në Kosovë”.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se personat e armatosur ishin serbë lokalë të Kosovës, “të cilët nuk mund të vuanin më terrorin e Kurtit”.
Vuçiq e dënoi vrasjen e policit të Kosovës, duke thënë se ajo “nuk mund të justifikohet”, por mohoi se Beogradi kishte ndonjë lidhje me sulmin.
Një ditë pas përleshjeve në veri, situata në këtë zonë të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – raportohet se është e qetë, por qasja për në fshatin Banjskë në Komunën e Zveçanit është ende e mbyllur nga Policia e Kosovës./REL