Connect with us

Kosova

‘Jemi në sulm’/ Osmani e vendosur: Do të mbrojmë çdo pëllëmbë të Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një intervistë për Reuters në zyrën e saj ditën e sotme ka folur sërish për sulmet dhe tensionet në veri dhe tha se “Kosova është nën sulm”.

Presidentja u shpreh se Serbia edhe sot ka pretendime territoriale ndaj Kosovës dhe po vepron për të përmbushur një “model të Krimesë” duke krijuar tensione në veri të Kosovës, ku rreth 50,000 serbë vendas ende e shohin Beogradin si kryeqytetin e tyre dhe refuzojnë sundimin nga Prishtina, shkruan Reuters.

“Ajo që unë do t’i thosha presidentit Vuçiq është ndalini ngatërresat me Kosovën. Kosova do ta mbrojë lirinë, pavarësinë dhe sovranitetin e saj me çdo çmim. Ata po përpiqen të realizojnë një model të Krimesë në Republikën e Kosovës, por ne absolutisht nuk do ta lejojmë të ndodhë… [ne] do të mbrojmë çdo pëllëmbë të territorit të Kosovës.”, tha Osmani.

Rusia pushtoi dhe aneksoi rajonin e Krimesë të Ukrainës në vitin 2014 dhe autoritetet e Kosovës kanë frikë se Serbia mund të shkëputë pjesën veriore të Kosovës. Presidentja e Kosovës nuk përjashtoi mundësinë se sulme të ngjashme mund të përsëriten edhe në një të ardhme të afërt dhe kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare që të bëjë gjithçka që Serbia të mos përkrahë grupe të tilla.

“Jam shumë e shqetësuar se sulme të tilla, qoftë edhe më të mëdha, mund të ndodhin në të ardhmen nëse Serbia nuk dënohet, para së gjithash për këtë akt terrorist agresioni”, tha ajo. Osmani u shpreh se pas ngjarjeve të ndodhura në veri të Kosovës, fundjavën e kaluar, bisedimet mes dyve vendeve nuk mund të vazhdojnë si më parë.

“Ne kemi qenë viktima të një agresioni të Serbisë dhe të gjithë duhet ta trajtojnë atë si të tillë, edhe në qasjen e tyre ndaj Serbisë tani e tutje”, tha Osmani.

Çfarë ndodhi në veri të Kosovës?

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra dhe 3 u plagosën në përleshjet me një grup të armatosur në veri të vendit. Rreshteri Bunjaku u vra në pritën që grupi i armatosur  kishte zënë herët në mëngjes në hyrje të fshatit Banjskës në Zveçan. Gjatë shkëmbimit të zjarrit u plagosën edhe 2 policë të tjerë. Më pas grupi i armatosur prej 30 anëtarësh u vendos në manastirin e Banjskës ku për orë të tëra, gjatë gjithë ditës së dielë u shkëmbyen të shtëna me policinë. Në mbrëmje ministri i Brendshëm i Kosovës deklaroi se 4 sulmues u vranë. Tre trupat e serbëve u gjetën në të njëjtën ditë, ndërsa i katërti një ditë më vonë. Ndërkohë gjashtë persona të tjerë, që dyshohet se ishin të lidhur me ta, u arrestuan. Gjithashtu ishin sekuestruar sasi të madhe armatimi.

Advertisement